Spalletti: Kemi 4 finale, nuk e kam problem bashkëjetesën me Icardin
BKT
Sport

Spalletti: Kemi 4 finale, nuk e kam problem bashkëjetesën me Icardin

Interi do të përballet nesër me Udinesen në Friuli, në një sfidë shumë të rëndësishme sa i takon objektivit, për t’u renditur në zonën Champions, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të komplikonte synimin e zikaltërve.

Trajneri zikaltër, Luciano Spalletti pranoi rëndësinë e sfidës ndaj Udineses, por theksoi se që të 4 takimet e mbetura, janë 4 finale që duhen fituar, për të siguruar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

“Jemi të përqendruar te sfida e nesërme, ku do të kërkojmë 3 pikët, ashtu siç kemi bërë në përbvalljet e fundit në Friuli ndaj Udineses. Megjithatë për të siguruar objektivin, duhet që të 4 ndeshjet e mbetura t’i marrim me radhë dhe t’i trajtojmë si finale”, tha tekniku zikaltër.

E ardhmja e Spallettit është ende në dyshim, ashtu si edhe ajo e ish kapitenit zikaltër, Mauro Icardi, por trajneri ka pranuar se nuk e ka problem punën me argjentinasin, ndërsa ky i fundit ka përfunduar në qendër të vëmendjes edhe për një set fotografik, transmeton SS.

“E kam parë setin fotografik, por mund të them që nuk më intereson aspak jeta e tij private. Unë dua që kur të vijë në stërvitje, të jetë i veshur si interist. Nuk e kam problem të stërvit, as atë dhe as ndonjë tjetër”, tha Spalletti.