E pabesueshme por e vërtetë, Liverpool gjunjëzoi Barçën
Mrekullia ndodhi. Liverpool është në finale të Ligës së Kampionëve. Të kuqtë kanë gjunjëzuar Barcelonën në “Anfield”, me rezultat 4:0, duke e përmbysur kësisoj epërsinë e katalonasve nga ndeshja e parë në “Camp Nou”, me rezultat 3:0.
Edhe pse pa dy nga yjet e skuadrës si Salah dhe Firminho, skuadra e Jurgen Klopp dhuroi një paraqitje epike, duke shënuar katër gola, aq sa i duheshin për të kaluar në finalen e 25 majit në Madrid, për të dytin edicion radhazi.
Liverpooli e nisi furishëm ndeshjen duke kaluar në epërsi qysh në minutën e 7-të, pas golit të shënuar nga sulmuesi belg, Divock Origi.
Pas këtij goli loja ishte e baraspeshuar, ku Barça iu afrua në disa raste golit, por Alisson ishte në formë të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, fillimi i pjesës së dytë ishte sërish magjik për Liverpoolin dhe në minutat 54’ dhe 56’ ishte mesfushori holandez Wijnaldum, i cili mposhti dy herë radhazi portierin Ter Stegen, duke çuar rezultatin 3-0.
Holandezi fillimisht shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë që u konkretizua me një top të bukur nga krahu, të dhënë nga mbrojtësi Alexander-Arnold, ndërsa golin e dytë e shënoi me kokë, pas një krosimi nga Xherdan Shaqiri.
Më pas, në minutën e 79’, Liverpooli fitoi një goditje nga këndi, të cilën Alexander-Arnold e ekzekutoi me shpejtësi, duke gjetur të lirë Origin, i cili e dërgoi topin në rrjetë për herë të katërt, duke shfrytëzuar përgjumbjen e mbrojtjes katalane.
Finalisti tjetër do të vendoset nesërmbrëma, ky Ajaxi e pret Tottenhamin. Ndeshja e parë në Londër ka përfunduar me fitoren e holandezëve, 1:0.























