10:23 / 07.06.2019
Liburni shpallet kampion në futsall
Në një atmosferë fantastike dhe shumë emocionuese në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, mbrëmë u luajt ndeshja e dytë finale e kampionatit të Kosovës në futsall ndërmjet Liburnit nga Gjakova dhe Prishtinës.
Pasi kishin fituar ndeshjen e parë në Gjakovë, Liburni triumfoi edhe në kryeqytet me rezultat 3-6, duke u shpallur kampion i Kosovës dhe duke fituar të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në garat evropiane.
Lojtari më i dalluar tek Liburni ishte Ramadan Alaj që udhëhoqi gjakovarët drejt triumfit me tre gola të realizuar.
Ky ishte titulli i katërt në histori të klubit gjakovar që nga viti i themelimit 2009.























