Totti ndan mendjen, nuk do të jetë më pjesë e Romës
Pas Daniele De Rossit, nga Roma largohet edhe një tjetër legjendë, Francesco Totti. I tërhequr nga futbolli dy sezone më parë, ish kapiteni kishte rol drejtues në skuadër, por ka vendosur t’i japë lamtumirën klubit verdhekuq, me të cilin kishte lidhur të gjithë jetën e tij si futbollist.
Lajmin e kanë dhënë mediat italiane, ndërsa vetë Totti do të dalë në një konferencë për shtyp në orën 14:00, ku do të njoftojë zyrtarisht largimin dhe do të tregojë edhe shkaqet që e çuan në këtë vendim.
Largimi i Tottit flitej prej ditësh në ambientin sportiv në Itali, pasi kohët e fundit ish kapiteni ishte lënë jashtë tryezave të rëndësishme dhe vendimmarrjeve të klubit, gjë që legjenda verdhekuqe nuk e kishte pritur aspak mirë.
Vetë presidenti i Romës, James Pallotta deklaroi në fundjavë se i ka bërë një ofertë Tottit, për të qenë Drejtor Teknik i skuadrës, por as kjo nuk i ka ndryshuar mendjen ish numrit 10, që të vazhdojë të qëndrojë pjesë e verdhekuqve.
Kujtojmë që dy javë para fundit të kampionatit, Roma largoi edhe kapitenin Daniele De Rossi, i cili ashtu si Totti, gjithë karrierën e tij si futbollist e kishte pasur me fanellën verdhekuqe. Megjithatë kjo nuk mjaftoi që drejtuesit e klubit t’i ofronin një kontratë të re, duke e lënë të lirë.























