Berisha i gëzohet suksesit të Kosovës,edhpse është `harruar` nga Challandes
Bernard Berisha është shembull për t’u ndjekur. Futbollisti këmbëshpejtë e ka vendosur Kosovën para gjithçkaje. Edhe kur nuk ftohet nga “Dardanët”, asnjëherë nuk i dëgjohet zëri. Madje, iu gëzohet fitoreve të ekipit verdhekaltër dhe i uron bashkëlojtarët.
Futbollisti pejan është i gatshëm të luajë dhe të kontribuojë për vendin e tij kurdo që i jepet rasti. Ai beson se bashkë me shokët e skuadrës mund ta arrijnë kualifikimin në Evropian.
Bernard Berisha nuk është një futbollist si të tjerët. Pejani e pati një rrugëtim të vështirë për të arritur deri në pikën ku është sot.
Anësori i majtë nisi gjithçka në kohën e izolimit të futbollit kosovar dhe depërtoi në Evropë, për t’u bërë më pas edhe pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës.
Sa herë u ftua, luajti me zemër dhe e la shpirtin në fushë për “Dardanët”. Mirëpo, kur nuk iu dha rasti dhe kur nuk u ftua fare, nuk iu dëgjua zëri asnjëherë.
Madje, iu dha kurajë shokëve të skuadrës dhe i uroi ata për rezultatet pozitive përmes rrjeteve sociale apo edhe mediave.
Futbollisti pejan është shembull për t’u ndjekur. Për këtë edhe është bërë i dashur për tifozët e Kosovës.
“Normalisht që njeriu ka dëshirë të luaj dhe për të kontribuuar për vendin e vetë. Por, aty vendos trajneri. Unë do të jem çdo herë i gatshëm dhe normalisht ndihem i lumtur që jam pjesë e Kosovës. Asnjëherë nuk kam pasur dilema, gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj për Kosovën”, thotë fillimisht ish-futbollisti i Besës së Pejës.
“Unë jam ndër të parët që e kam pranuar ftesën e Kosovës dhe jam shumë i lumtur dhe ndihem krenar. Unë po e pres mundësinë time që ta ndihmoj Kosovën, që së bashku ta çojmë këtë ekip sa më lartë”, vazhdoi Berisha, i cili nën drejtimin e trajnerit Bernard Challandes nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme.
E kënaqi Kosova
Ai është kënaqur me dy paraqitjet e fundit të Kosovës në eliminatoret e Evropianit 2020, por sigurisht edhe me rezultatet e regjistruara ndaj Malit të Zi, e mbi të gjitha kundër Bullgarisë. “Besoj se të gjithë janë të kënaqur me Lojën e Kosovës dhe unë jam shumë i lumtur për fitoret dhe lojën e Kosovës”, shton futbollisti këmbëshpejtë.
I gatshëm për Kosovën, kurdoherë
Berisha beson ende se mund të japë kontribut për ekipin përfaqësues të Kosovës. Ai do të bëjë përpjekje dhe ta tregojë veten në muajt në vijim, në mënyrë që ta bind trajnerin Challandes që ta ftojë për ndeshjet e shtatorit, ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë.
“Unë do të jem çdo herë i gatshëm për Kosovën dhe do ta pres mundësinë nëse do të më jepet. Unë do të vazhdoj të luaj te klubi im dhe se a do të ftohem apo jo, vendos trajneri. Çdo vendim të trajnerit do ta respektoj. Unë asnjëherë s’do të flas asgjë për vendlindjen time, pavarësisht çka do që ka ndodhur”, shton Berisha.
Beson në kualifikimin në Euro 2020
Kosovës po i ecin punët mjaft mirë. “Dardanët” e kanë mundësinë të kualifikohen në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve, ku u treguan të suksesshëm në Ligën D, në fazën e grupeve.
Mirëpo, tash ekipit Verdhekaltër i është shtuar edhe një mundësi e kualifikimit, ajo përmes eliminatoreve, ku ka grumbulluar 5 pikë nga 3 ndeshje në Grupin A, pa pësuar ende humbje në tri ndeshjet e para.
Dhe, optimizmi për kualifikim është shtuar edhe tek Bernard Berisha.
“Me grupin që e kemi dhe formën që po e tregojnë lojtarët, besoj shumë dhe shpresoj që të kualifikohemi në Evropian”, nënvizoi futbollisti kosovar, i cili një pjesë të karrierës e kaloi tek Skënderbeu i Korçës.
I lumtur në klubin aktual
Aktualisht, Berisha është pjesë e ekipit rus, Akhmat Grozny. Ai ndihet i lumtur në klubin aktual, ku do të qëndrojë së paku edhe një vit.
Pas eksperiencës së suksesshme në Shqipëri, Berisha e kishte vazhduar karrierën në Rusi, ku po luan në vitet e fundit.
“Jam shumë i lumtur te skuadra ku jam momentalisht dhe me pak fat do ta kishim kapur Europa Leaguen. Por, fati deshi që edhe kësaj here të mos luajmë në Evropë. Kam edhe një vit kontratë dhe të shohim më pas çka do të ndodhë”, shprehet Berisha.
Të qenit baba, ndjenjë e papërshkrueshme
Së fundmi, Bernard Berisha është bërë baba. Ai po e shijon çdo moment me të birin e tij. “Është një ndjenjë që askush nuk mundet ta përshkruajë. Jam shumë i lumtur dhe e falënderoj Zotin që ma fali një djalë të shëndoshë dhe në fund, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen ju uroj vetëm gjëra të mira të kenë në jetën e tyre”, përfundoi ai.
Sigurisht, Berisha është zemra e Kosovës. Edhe kur nuk është prezent, ai iu jep zemër bashkëlojtarëve. Bernardi është model dhe shembull për t’u ndjekur nga të tjerët./GazetaExpress/























