Gara e femrave në auto sllallom mbahet në Ferizaj
Federata e Autosporteve të Kosovës njoftoi se gara e femrave në auto sllallom do të mbahet nesër në qytetin e Ferizajt.
Vetëm pak orë pasi Komuna e Prishtinës e ka shfuqizuar lejen për garën e femrave në autosllallom, që do të duhej të mbahej po nesër në Prishtinë, është gjetur një zgjidhje tjetër.
“Me të dëgjuar lajmin, ish-Presidentja Atifete Jahjaga, kërkoi përkrahje nga komunat e tjera të Kosovës, të cilat u treguan të hapura për të bashkëpunuar dhe brenda një kohe të shkurtë u mobilizuan duke na ofruar zgjidhje për mbajtje të garës me të gjitha kushtet e nevojshme që duhen për realizimin e një ngjarje të tillë”, njoftoi FASK.
Më pas është përzgjedhur Komuna e Ferizajt si vend ku do të mbahet kjo garë.Federata e Autosporteve të Kosovës falënderoi këtë komunë, ish-presidenten Jahjaga dhe të gjithë ata që kontribuuan që kjo garë të mos dështojë.
“Ftojmë të gjitha gratë, nënat, vajzat dhe motrat të na bashkohen në qytetin e Ferizajt", thuhet në njoftimin e FASK.























