FFK kërkon nga UEFA e FIFA t`i ndalojë garat e Serbisë në Kosovë
BKT
Sport

FFK kërkon nga UEFA e FIFA t`i ndalojë garat e Serbisë në Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se i ka shkruar zyrtarisht letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantinos dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferinin, në lidhje me aktivitetet e fundit të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut.

Ky klub së fundmi u përfshi në nivelin e tretë të futbollit të Serbisë dhe kjo shty Federatën e Futbollit e Kosovës të reagojë dhe të kërkojë nga UEFA e FIFA që të ndërhyjnë në këtë çështje dhe ta detyrojnë Federatën e Futbollit të Serbisë që t'i ndalojë të gjitha aktivitetet e saja në territorin e Kosovës.
FFK-ja po ashtu ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA ta detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.

Letra e plotë e presidentit të FFK-së, Agim Ademi, e përkthyer në shqip:

I nderuar Zotëri President,

Në vazhdimësi, shumë herë dhe për herë të fundit muajin e kaluar, ne e kemi adresuar në UEFA dhe FIFA shqetësimin tonë në lidhje me organizimin e një lige zyrtare dhe ndeshjeve të kupave nga klubet serbe brenda territorit të Kosovës.

Situata do të eskalojë pasi që klubi nga Kosova, Trepça, do të garojë në Ligën e Tretë të Serbisë, gjë e cila nuk do të tolerohet nga Qeveria, Policia dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë.

Për më tepër, ne prisnim më shumë mirëkuptim dhe konsideratë nga Federata e Futbollit e Serbisë, por duket se ata janë plotësisht të kontrolluar dhe të ndikuar politikisht, transmeton Gazeta Express. Moslejimi i lojtarëve dhe trajnerit serbë të Malit të Zi të luajnë kundër Kombëtares së Kosovës dhe, së fundi, lojtarëve të Slovan Bratislavas kundër kampionit tonë, Feronikelit, është tregues i urrejtjes së thellë dhe humbjes së realitetit nga Qeveria Serbe.

Nëse FIFA dhe UEFA nuk ndërhyjnë dhe shfaqin vendosmëri, futbolli do të shkaktojë edhe më shumë konflikt politik, që do të ishte i paprecedent  dhe dëmtues ndaj shtëpive tona të futbollit.

FIFA dhe UEFA duhet ta ndalojnë menjëherë Federatën e Futbollit të Serbisë që të mos i përfshijë klubet nga Kosova në garat e organizuara nga Federata serbe, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, ne kërkojmë nga UEFA të ndërhyjë ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në statutin e tyre, ku Kosova është pjesë e Shoqatës së tyre, që është e papranueshme dhe në kundërshtim me të vërtetën dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.