Arena Sportive rikthehet në RTK
Arena Sportive këtë të diele i jep fund agjërimit dy muaj, pasi rikthehet në skemën programore të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Emisioni qendror i Sportit në Televizionin Publik të Kosovës, fillon nga ora 21:00.
Risitë do të jenë prezentë sikurse në anën përmbajtjesore ashtu edhe në atë vizuele, ndërsa këtë radhë nikoqir do të jenë Arlind Grantolli dhe Alba Merovci.
Meqë këtë vikend starton Superliga e Kosovës në futboll, mysafir i parë i këtij emisioni do të jetë Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, me të cilin do të flitet për përgatitjet e Shtëpisë së Futbollit të Kosovës për këtë stinor, por edhe për të gjitha çështjet tjera që ndërlidhen me futbollin e vendit tonë.
Rezultatet, tabela, kronikat dhe gjithçka tjetër që ndodhë në 6 duelet e xhiros së parë të elitës të cilat zhvillohen të shtunën dhe të dielën do të jenë të pasqyruara në stilin dhe formatin tashmë të njohur të Programit të Sportit në RTK.
Në pjesën e dytë fokusi do të jetë te skuadra e cila na bëri krenar për rezultatet e tyre në garat kualifikuese të Ligës së Kampionëve, KFF Mitrovica.
Trajneri Seid Onbashi, futbollistja Fatbardha Osmani dhe kryetari i klubit Hajrullah Haxhiu, do të shpalosin rrugëtimin e këtij ekipi dhe ambiciet e tyre në mesin e 32 ekipeve më të mira në garën më prestigjioze europiane për skuadra.
Kombëtarja e Kosovës në Basketboll do ta ketë vendin e veçantë, derisa nga ajo presim të shtunën të sjellin rezultat pozitiv nga Britania e Madhe, në rrugëtimin e saj për të kaluar fazën parakualifikuese për Eurobasketin e vitit 2021.
Krejt në fund minutat e rezervuara për Sportin Ndërkombëtarë ku në fokus do të jetë La Liga dhe Bundesliga që startojnë këtë vikend, por edhe Premierleague, Ligue 1, Eredivisie dhe të gjitha lajmet më të fundit nga atje.
Të dielën me fillim nga ora 21:00, Arena Sportive në RTK.























