Ribery mbërrin me avion privat, çfarë entuziazmi në Firencë!
Franck Ribery paraditen e kësaj të mërkure mbërriti në Firenze me një avion privat, aty ku një numër i madh tifozësh i rezervuan një pritje shumë të ngrohtë.
Konfirmimi përfundimtar për kalimin e francezit te Fiorentina erdhi të martën në mbrëmje, kur u arrit akordi edhe për disa detaje të vogla që kishin mbetur pezull. Ribery ka firmosur një kontratë dyvjeçare, nga e cila do të përfitojë 4 milionë euro në sezon, plus bonuset. Tashmë, zyrtarisht, Ribery nis aventurën e tij te Fiorentina.
Francezi u shfaq tepër entuziast për kalimin te skuadra vjollcë. Ai u shpreh se ishte ish-shoku i skuadrës te Bayerni i Mynihut, Luca Toni, ai që e bindi të kalonte te klubi vjollcë, por sigurisht edhe drejtuesit. Ribery do të prezantohet përpara tifozëve në stadiumin “Artemio Franchi”, ku pritet që numri i të pranishmëve te jetë i madh.
Te Fiorentina Ribery do të mbajë fanellën me numrin 7, numër te cilin e mbante dhe te bavarezët.
Pas një epoke të artë te Bayerni, ku fitoi gjithçka, tashmë në moshën 36-vjeçare Ribery është gati për aventurën e re te Fiorentina.























