“Nikli” triumfon në derbi, fiton edhe Flamurtari, paqe në "Zahir Pajaziti"
RTKLive
Feronikeli ka triumfuar në derbin e javës së tretë të IPKO Superliga e Kosovës në futboll, duke mundur Prishtinën, me rezultat 1-0.
Kampioni në fuqi, i është kthyer fitoreve pas disfatës kundër Ballkanit javën e kaluar, duke mundur rivalin kryesor në garën për kreun e tabelës, Prishtinën, raporton RTKLive.
Skuadra nga Drenasi, e ka kontrolluar lojën më mirë në terren, ndërsa golin e tri pikëve të mëdha e shënoi Mendurim Hoti në minutën e 9-të.
Ndërkohë, sfida mes Llapit dhe Ballkanit, është mbyllur pa gola, takim ky i zhvilluar në “Zahir Pajaziti”.
Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Flamurtari ka marrë tri pikë tejet të rëndësishme në duel me Ferizajn, duke e mposhtur me rezultat 1-0.
Sulmuesi Shend Kelmendi në minutën e 28-të realizoi golin e fitores për kuqezinjtë e Prishtinës.























