Zvicra fiton lehtë kundër Gjibraltarit, muajin tjetër e pret Danimarka
Futbollistët e Zvicrës shënuan fitore të lartë në përballjen e sotme me Gjibraltarin në kuadër të grupit D të kualifikimeve për evropianin 2020.
Të përzgjedhurit e Petkoviq gjatë gjithë ndeshjes diktuan ritmin e lojës, e cila u reflektua me katër gola të shënuar në portën kundërshtare.
Serinë e golave e nisi Zakaria në minutën 37, për të dyfishuar shifrat Mehmedi gjashtë minuta më vonë, derisa Rodriguez në minutën e tretë të kohës shtesë të pjesës së parë shënoi edhe golin e tretë për zviceranët.
Në pjesën e dytë, Zvicra shënoi edhe një herë, kësaj radhe përmes Gavranoviq tre minuta para përfundimit të ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Zvicra renditet e treta në tabelë me tetë pikë, dhe katër ndeshje të zhvilluara, derisa Irlanda prin me 11 pikë, pasuar nga Danimarka me një pikë më pak në vendin e dytë, por që kanë nga pesë ndeshje të zhvilluara.
Zvicra ndeshjen e radhës do ta luajë si mysafir më 12 tetor kundër Danimarkës, ndërsa Gjeorgjia pret Irlandën.























