Chelsea-Liverpool, kryesfida e Premier Leagues
5 fitore në 5 ndeshje nuk janë pak për më tepër që numri i fitoreve radhazi në Premier League për Liverpoolin ka shkuar në 14 duke marrë në konsideratë edhe 9 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar.
Megjithatë në Champions ndaj Napolit të kuqtë treguan që janë një skuadër e thyeshme. Sot në orën 17:30 skuadra e Klopp luan ndaj Chelsea-t në Stamford Bridge me objektivin për të marrë fitoren e radhës dhe për ta çuar sërish në +5 avantazhin ndaj City-t ndjekës në renditje.
Nuk do të jetë e lehtë pasi Chelsea është një skuadër që po vjen në rritje në drejtimin e Lampard pavarsisht disa rezultateve jo të mira në këto javë të para.
Blutë e Londrës kanë qenë gjithmonë një kockë e fortë për The Reds dhe diçka të tillë e treguan edhe në Superkupën e Europës ku u mposhtën vetëm pas goditjes së penalltive. Dëmtimet e Emerson, Rudiger dhe Mount i kanë prishur disi planet trajnerit Lampard gjithsesi Chelsea ka një skuadër të mbipopulluar dhe alternativat cilësore për ish-mesfushorin e bluve nuk mungojnë.
Klopp në krahun tjetër nuk ka në dispozicion vetëm portierin Alisson, mbrojtësin e krahut Clyne, ndërsa Origi është në dyshim. Kjo nis nga ora 17:30. /SS/























