Ballkani e Llapi bindës, Drenica fiton në Ferizaj
BKT
Sport

Ballkani e Llapi bindës, Drenica fiton në Ferizaj

Ballkani dhe Llapi kanë shënuar fitore me rezultate bindëse në ballafaqimet kundër Vushtrrisë, përkatësisht Flamurtarit, derisa Drenicës i mjaftoi një gol për t’i arkëtuar tri pikë si mysafire në Ferizaj në kuadër të javës së 6-të në Ipko Superligë.

Llapi e ka shënuar një fitore të lehtë në duel me Flamurtarin në kryeqytet, me rezultat 5:1. Mërgim Pefqeli e ka kaluar ekipin e Tahir Batatinës në epërsi në minutën 12-të, kurse Mentor Zhdrella shënoi pas një minute për 2:0. Blendi Memaj e gjeti golin e tretë të llapjanëve në minutën e 45-të. Ndërkaq, Angel Granchov e ngushtoi rezultatin në 1:3 me të filluar pjesa e dytë. Megjithatë, Blendi Memaj e shënoi golin e dytë personal dhe të katërtin për llapjanët në minutën e 65-të. E Granchov shënoi autogol në minutën e 77-të për fitoren e lartë të ekipit mysafir.

Ndërkohë, Ballkani fitoi po ashtu me rezultat bindës, 5:2 kundër Vushtrrisë.

Visar Berisha i kaloi therandasit në epërsi me golin e shënuar me kokë në minutën e 16-të. Drilon Fazliu i barazoi shifrat në minutën e 40-të. Me të filluar pjesa e dytë, respektivisht në minutën e 48-të, Jetmit Topalli e riktheu epërsinë e ekipit vendës. Mbrojtësi Berisha e shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për ekipi e Ismet Munishit në minutën e 60-të, derisa golin e katërt e shënoi Arbër Hoxha në minutën e 70-të. Paolo Matheus e ngushtoi epërsinë e vendësve duke shënuar me kokë në minutën e 85-të, derisa rezultatin përfundimtar e vulosi Ermal Krasniqi në minutën e 89-të.

Në duelin e tretë të zhvilluar sot, Drenica e mundi Ferizajn në udhëtim me rezultat minimal, 1:0 falë golit të shënuar nga Arbios Thaqi në fund të pjesës së parë.