Bayerni mund Leipzig, merr kreun
Bayerni i Mynihut ia doli të marrë një 3-pikësh mjaft të vuajtur në transfertën ndaj skuadrës së ngjitur rishtazi në Bundesligë, Paderbornit, falë triumfit me rezultatin 2-3.
“Bavarezët” gjetën avantazhin me anë të Gnabry dhe në fillim të pjesës së dytë dyfishuan shifrat me brazilianin Coutinho, ndërsa goli e tretë e shënoi goleadori polak Robert Lewandowski.
Nga ana tjetër, Paderborni rihapi dy herë takimin, duke shënuar me Proger e Collins në pjesën e dytë, por pa arritur të marrë të paktën një pikë në këtë takim, ku vlen të theksohet se titullar si zakonisht ishte edhe mesfushori shqiptar Klaus Gjasula, që zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë.
Pëson humbjen e parë në kampionat Leipzigu, që u mposht me rezultatin 1-3 nga Schalke 04, në stadiumin “Red Bull Arena”. Kryesuesit e kampionatit vuajtën jo pak ndaj “bluve mbretërorë”, që shënuan me Sane, Harit dhe Matondo, ndërsa vendasit gjetën golin e nderit me anë të Forsberg.
Në ndeshjet e tjera, Leverkuseni triumfoi me rezultatin 0-3 në transfertën ndaj Augsburgut, ndërsa me të njëjtat shifra festoi suksesin edhe Borussia Munchengladbach në transfertën ndaj Hoffenhaimit.
Fitore minimale 0-1 mori edhe Wolfsburgu në Mainz, duke bërë që në të pesë takimet e kësaj mesdite të Bundesligës të festojnë skuadrat udhëtuese. Me fitoren e sotme, Bayerni i Mynihut ngjitet në krye të renditjes me 14 pikë, duke lënë pas vetes Leipzigun e Schalke 04-ën me nga 13 pikë.























