Semedo: Vidal na solli atë që mungonte
BKT
Sport

Semedo: Vidal na solli atë që mungonte

Barcelona mposhti Interin ditën e djeshme 2-1 me përmbysje, pasi e pa vetën në disavantazhin e një goli në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë trajneri Valverde bëri disa zëvendësime, të cilat dolën të ishin lëvizje të zgjuara për të marrë tre pikët nga kjo ndeshje.

Në minutën e 53’, tekniku hodhi në fushën e lojës mesfushorin, Arturo Vidal, i cili zëvendësoi mesfushorin Buskets. Pikërisht inkuadrimi i kilianit i dha një impuls tjetër lojës së Barcelonës, të cilët ishin dominues në pjesën e dytë.

Mbrojtësi i katalanasve, Nelson Semedo, thotë se Arturo Vidal ishte ai që ndryshoi fatin e kësaj ndeshjeje dhe i ndihmoi ata që të merrnin 3 pikët. “Sapo u fut në fushë, ai solli grintën që po na mungonte dhe na ndihmoi që të ishim më përpara. Të gjithë bëmë një ndeshje të madhe, por Arturo ishte vendimtar në përmbysjen e kësaj sfide. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse kishim përpara një skuadër të madhe”, tha Semedo.