Shatri: Shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë
BKT
Sport

Shatri: Shpresoj të kemi një paraqitje sa më të mirë

Klubi i basketbollit Mabetex Prishtina do të ketë një ndeshje shumë të vështirë në grupet e “FIBA EuroCup Women”.

Vashat prishtinase do të ndeshen me Sparta & k M.R. Vidnoje. Para kësaj ndeshje në një deklaratë për KosovaPress, trajneri i skuadrës së Mbatex Prishtinës ka thënë se kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ta.

Ai me këtë rast fton të gjithë tifozët të jenë të pranishëm në këtë ndeshje për ti përkrahur vashat prishtinase.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, sepse për herë të parë luajmë në shtëpi në garat ndërkombëtare. Shpresojmë të kemi një paraqitje sa më të mirë, dhe i bëjmë thirrje tifozëve të na përkrahin maksimalisht pasi përkrahja e tyre është shumë me rëndësi për ne. Kjo është paraqitja jonë e parë në nivel të tillë dhe synojmë të kemi një prezantim sa më të mirë në garat ndërkombëtare, pasi ndodhemi edhe në një grup të vështirë. Sidoqoftë, angazhimi ynë nuk do të mungojë dhe do të  japim 100 % në fushë”, tha Shatri.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme është deklaruar edhe basketbollistja Irma Konjusha, e cila e ka cilësuar këtë ndeshje shumë të rëndësishme për klubin e Prishtinës.

“Është ndeshja e parë ndërkombëtare në shtëpinë tonë, është një emocion i veçantë, pasi e kemi pritur këtë ditë një kohë të gjatë. Besoj në bashkëlojtaret e mia dhe në punën e trajnerëve dhe gjithçka mbetet të shihet në parket. I ftoj të gjithë që të na mbështesin për këtë ndeshje shumë të rëndësishme”, theksoi Konjusha.

Ndeshja Mabetex Prishtina-Sparta&k M.R. Vidnoje zhvillohet sonte nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Bardhekaltret në ndeshjen e parë kishin pësuar nga MBA Moscow në udhëtim 90:58, derisa Sparta&k M.R. Vidnoje mundi Beshiktashin 80:71.