Palmer: Marrëveshja e Prespës, garantuese e stabilitetit në rajon
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe Nikolla Dimitrov
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Kështu ka deklaruar i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, pas takimit në Shkup me kryeministrin Zoran Zaev.
“Mesazhi ynë është se SHBA-ja është partnere dhe mike e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të përkushtuar në këto raporte me Maqedoninë e Veriut dhe integrimin e saj në NATO dhe BE”, ka deklaruar diplomati amerikan në një prononcim për mediat.
Ai theksoi se gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, dhe takimeve me drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike, është riafirmuar përcaktimi i përgjithshëm se për vendin nuk ka alternativë tjerë përveç integrimit euroatlantik.
“Ne në vazhdimësi kemi deklaruar se Marrëveshja e Prespës është shumë e rëndësishme dhe se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin pasi ka rëndësi të madhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe se zbatimi i saj duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Palmer.
Marrëveshja e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, mbylli kontestin e më shumë se dy dekadave mes dy vendeve fqinje për çështjen e emrit, me ç`rast shteti u emërua Maqedonia e Veriut.
Gjatë qëndrimit tri ditësh në Maqedoninë e Veriut, diplomati amerikan është takuar edhe me liderin e opozitës maqedonas, Hristijan Mickovski, i cili siç bëhet e ditur në një komunikatë të VMRO DPMNE-së ka theksuar “nevojën e reformave të thella në shoqëri dhe luftën e pakusht kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Ndërsa, në takimin me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ky i fundit i ka siguruar diplomatit amerikan se “BDI-ja do të jetë garantues i Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, nga të cilat nuk ka kthim pas asnjëherë”.























