Ndeshja Kosovë-Angli, atmosferë e zjarrtë në shesh
BKT
Sport

Ndeshja Kosovë-Angli, atmosferë e zjarrtë në shesh

Ndonëse Kosova nuk do të kualifikohet direkt në evropianin e ardhshëm, kjo nuk ka penguar shikues të shumë që t’i drejtohen sot sheshit të Prishtinës për të përcjellë nga monitori ndeshjen e fundit kundër Anglisë, të cilës përfaqësuesja jonë ia pati shënuar tre gola si mysafir në Southampton.

Në një atmosferë entuziaste në “Zahir Pajaziti”, ishin mijëra qytetarë që ishin mbledhur për të përcjellë futbollistët tanë në përballjen me ish-kampionin e botës.

Ndonëse fitorja do të thotë shumë për Kosovën, edhe një barazim i mundshëm do të ishte i kënaqshëm për tifozët e përfaqësueses sonë.

Një tifoz që kishte ardhur nga Kaçaniku thotë se është shumë i kënaqur me paraqitjet e deritanishme të Kosovës në kualifikimet për evropianin, por edhe ato që i kishte pasur më herët në Ligën e Kombeve, përmes të cilave shpresojmë të kualifikohemi për herë të parë në një kampionat evropian.

Tifozi nga Kaçaniku: Jemi të kënaqur me Kosovën

“Jemi shumë të kënaqur me kombëtaren e Kosovës dhe me kombëtaren e Shqipërisë. Fitore? Problem është. Të paktën një barazim sikur të mundemi ta nxjerrim do të ishte sukses për Kosovën”, thotë ky tifoz.

Se atmosfera ishte e shkëlqyer e tha edhe një tifozë që kishte ardhur në Prishtinë vetëm e vetëm që të përcjellë përfaqësuesen e Kosovës në futboll. 

Tifozja: Atmosfera është shumë e mirë

 “Atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se gjithçka do të shkojë në rregull, pse jo edhe një fitore prej Kosovës”, tha kjo tifozë.

Në mesin e gjithë këtyre fansave të futbollit kishte edhe prej atyre që kishin ardhur më herët nga Anglia. Një tifoze angleze tha për KosovaPress se është e impresionuar me atmosferën e krijuar në Prishtinë.

Tifozja angleze: Nuk e di se kush do të fitojë

“Mendoj se është brilante se të gjithë janë të mirëpritur për lojë. Nuk e di se kush do të fitojë. Mendoj se nëse Kosova do të fitojë, do të ishte e mrekullueshme”, tha ajo.

Me gjithë lojën e mirë të përfaqësueses sonë pjesa e parë e takimit përfundoi me avancimin e tre Luanëve prej 1:0.  Një tifoz nga Prishtina thotë se Kosova në pjesën e dytë do të përpiqet për të rikthyer rezultatin.

Tifozi: Në pjesën  e parë luajtëm shumë mirë

“Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë. Në pjesën e dytë do të jemi më të fuqishëm dhe së paku të nxjerrim një barazim”, tha ky tifoz.

Një atmosferë e ngjashme në Prishtinë ishte edhe në ndeshjen e kaluar kundër Çekisë, e cila u luajt në Pëlzen dhe të cilën e humbën 2:1.

Shpresojmë se Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë pjesë e evropianit për herë të parë në historinë e saj. Ajo në pranverë do të luajë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë Veriore dhe nëse fitojmë atëherë duhet të mposhtim për kualifikim edhe fituesin e takimit tjetër Gjeorgji-Bjellorusi.