Valencia: Të gjithë ndiheshim të rëndësishëm nën urdhrat e Fergusonit
BKT
Sport

Valencia: Të gjithë ndiheshim të rëndësishëm nën urdhrat e Fergusonit

Ish-mbrojtësi i Manchester United, Antonio Valencia ka thënë se të gjithë lojtarët janë ndjerë të rëndësishëm nën urdhrat e trajnerit Sir Alex Ferguson.

United nën urdhrat e Ferguson ka fituar tituj të shumtë dhe ka qenë klubi më i fortë në Premier Ligë.

Mirëpo që nga koha që Ferguson u largua, “Djajtë e Kuq” nuk kanë arritur ta fitojnë kampionatin anglez edhe pse në stol kishin David Moyes, Louis van Gaal, Jose Mourinho dhe trajneri momental Ole Gunnar Solskjaer.

Sipas Valencia arsyeja kryesore është se tekniku skocez ka ditur si t’i bënte të gjithë lojtarët e rëndësishëm.

“Ditën që na tha se po largohet, kishte shumë emocione. Të gjithë kishim emocione. U ndjeva keq. Nëse do qëndronte edhe për një vit, mendoj se do të fitonim Ligën e Kampionëve ose Premier Ligën. E dinim se kur ishte në krye Ferguson do të fitonim ndonjë trofe”, deklaroi ai.

Në fund shtoi se ka qenë më ndryshe kur në stol ka ardhur David Moyes, pasi vetëm disa lojtarë ishin të rëndësishëm.

“Ishte ndryshe kur erdhi Moyes. Ferguson arrinte t’i bënte të gjithë lojtarët e rëndësishëm. Në momentin kur Moyes erdhi vetëm një grup i lojtarëve ndiheshin të rëndësishëm. Chicarito nuk kishte mundësi për të luajtur. Jo të gjithë lojtarët ishin të lumtur me Moyes sepse presioni ishte shumë i madh”, përfundoi ai.

“Djajtë e Kuq” për momentin është në vendin e nëntë me 17 pikë, ndërsa në ndeshjen e radhës është mysafirë i Astanas në kuadër të Ligës së Evropës.