Top-ligat evropiane rikthehen me sfida interesante
BKT
Sport

Top-ligat evropiane rikthehen me sfida interesante

E shtuna sportive do të startojë që në orën 13:00 me sfidën e kampionatit spanjoll mes Alavesit dhe Realit të Madridit.

Madrilenët, pasi siguruan kalimin në fazën e 1/8-ave të Champions Leagues, tani do të mund të përqendrohen në kampionat, ku janë në krye me pikë të barabarta me Barcelonën dhe në rast fitoreje sot, do të shkëputeshin me 3 pikë dhe do të vinin në presion katalanët.

Vetëm 30 minuta më vonë do të vijë takimi i kampionatit anglez mes Newcastle dhe Manchester Cityt, ku këta të fundit e kanë detyrim fitoren, për të mos rrezikuar një shkëputje edhe më të madhe nga Liverpooli kryesues.

Kampionati gjerman do të vijë sot me dy takime mjaft interesante, ku fillimisht në Berlin, ish ylli gjerman i futbollit, Jurgen Klinsmann do të debutojë si trajner i Herthës, në sfidën përballë Borussias së Dortmundit, në orën 15:30.

Në orën 18:30 vëmendja do të spostohet në Mynih, ku bavarezët e Bayernit do të presin Bayer Leverkusenin, në një sfidë që premton spektakël. Natyrisht që vendasit janë favoritë për këtë takim, pasi duan të marrin kryesimin e renditjes, por Leverkusen është një ekip që luan futboll dhe mund të bëjë befasinë.

Kampionati italian do të startojë në orën 15:00, me ndeshjen Brescia-Atalanta, e vlefshme për javën e 14 të kampionatit. Trajneri Fabio Grosso drejton prej dy javësh “Dallëndyshet” dhe nuk e ka provuar ende fitoren e parë, ndaj do të tentojë ta bëjë sot ndaj një kundërshtari aspak të lehtë si Atalanta, që gjithashtu vjen pas humbjes me Juven një javë më parë.

Në orën 18:00 vëmendja do të jetë në “Marassi”, ku Genoa do të presë Torinon, një përballje kjo mes dy skuadrash që kanë organikë cilësore, por që nuk po arrijnë të marrin atë që kanë në pritshëmritë e tyre.

Në mbrëmje do të jetë radha e takimit mes Fiorentinës dhe Lecces, ku vendasit e Vincenzo Montellës do të kërkojnë rikthimin te fitorja dhe loja e bukur, cilësi që u kanë munguar në javët e fundit. /SS/