Sahiti: Miqësorja me Suedinë mundësi e mirë për lojtarët e rinj
Sharr Travel

Sahiti: Miqësorja me Suedinë mundësi e mirë për lojtarët e rinj

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshje miqësore me Suedinë, më 12 janar në Doha të Katarit, derisa ekziston mundësia që katër ditë më pas të zhvillohet edhe nhë miqësore tjetër, por që ende nuk është finalizuar marrëveshja.

Kështu ka bërë të ditur menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala, në konferencën e sotme për media në FFK, e ku ishte i pranishëm edhe Muharrem Sahiti, ndihmës i përzgjedhësit Bernard Challandes.

Shala tha se Federata e ka organizuar një ndeshje të tillë që t’i jepet mundësia edhe lojtarëve të tjerë përveç atyre kryesorë.

“Federata ka tentuar të organizojë ndeshje të tilla ku i jepet rast edhe lojtarëve të tjerë përveç atyre lojtarëve kryesor. Ndeshja  me Suedinë zhvillohet në vazhdën për t’i dhënë më shumë kohë shtabit teknik dhe lojtarëve. Është ndeshje që zhvillohet jashtë kalendari të UEFA-s dhe shumica e lojtarëve do të kenë angazhime me klubet e tyre dhe nuk mund të gjejnë kohë për ndeshjen në janar. Trajnerët do të jenë në kontakt me ta që të definohet lista”, tha ai.

Ai tha se para kësaj ndeshje në Katar do të realizojnë katër stërvitje, derisa bëri të ditur se po punojnë që të realizojnë edhe një miqësore tjetër më 16 janar.

"Do të kemi 4 stërvitje, pasi për shkak të kushteve klimatike është shumë vështirë të punohet këtu, prandaj të gjitha stërvitjet do të zhvillohen në Katar. Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore. Ende s'ka diçka konkrete, por nëse zhvillohet ndeshja tjetër do të jetë me 16 janar. Sidoqoftë tash për tash e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë", shtoi Shala.

Muharrem Sahiti, ndihmëstrajner i Kosovës tha se kjo miqësore është në një kohë të papërshtatshme, por që nuk e kanë luksin të refuzojnë.

“Kemi organizuar këtë ndeshje dhe do të jetë shumë e mirëseardhur edhe pse është një kohë e papërshtatshme se disa janë në pushime por nuk kemi mundur me e refuzua këtë ndeshje. Tash jemi duke punuar rreth grumbullimit se cilët lojtarë do të na bashkohen. E para nuk është datë e UEFA dhe vështirë është të grumbullohen lojtarët e grupit A por jemi duke biseduar me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe këto ditë po presim se cili lojtar do të na bashkohet nga jashtë”, tha ai.

Ai tha se do ta kenë të vështirë grumbullimin e të gjithë lojtarëve pasi që janë të angazhuar në ligat e tyre.

“Ne kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë që kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët. Kontaktet i kemi edhe me Herolind Shalën që të shohim ku është pas lëndimit. Zyrtare do të jetë nga 8 janari në Katar dhe do ta shohim mundësinë a mund t'i ftojmë lojtarët. Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme dhe gjithmonë përvoja përfitohet kur ke eksperienca me skuadra të forta”, tha ndihmëstrajneri Sahiti.