Sejdini: Për ndeshjen Maqedoni e Veriut - Kosovë vendosim më 18 dhjetor
BKT
Sport

Sejdini: Për ndeshjen Maqedoni e Veriut - Kosovë vendosim më 18 dhjetor

Ndeshja gjysmëfinale e Ligës së Kombeve, Maqedoni e Veriut – Kosovë sipas të gjitha gjasave do të luhet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFMV), Muamed Sejdini për Lajm Tv.

Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë që kjo ndeshje të zhvendoset në një stadium tjetër vetëm nëse UEFA e vlerëson si sfidë me rrezik të lartë. Gjithsesi, vendimi përfundimtar do të merret në mbledhjen e Këshillit Drejtues të FFMV-së, më 18 dhjetor.

“Ne si federatë, por edhe ju si media dhe gjithë opinioni i gjerë duhet të punojmë në drejtim që kjo ndeshje të jetë një spektakël dhe të mbizotërojë futbolli dhe të tregojmë dinjitet në stadium, secili pranë ekipit të vet dhe në fund t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit dhe të urojmë për finalen dhe për Evropianin ose ne ose Kosova. Se ku do të luhet ndeshja do të vendosim definitivisht më 18 dhjetor kur e kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues . Alternativë e parë është stadiumi në Shkup, por do ta kisha lënë një rezervë të vogël në rast se Komisioni i UEFA-s e merr parasysh rrezikshmërinë e kësaj ndeshje apo na rekomandojnë diçka do të ketë ndonjë ndryshim. Por, them se kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Shkupit dhe besoj se gjithë së bashku do t’i tregojmë botës se dimë të organizojmë ndeshje dhe jemi korrekt në stadium dhe të bëjmë tifo për ekipin tonë”, ka theksuar Sejdini.