Drejtori dhe përfaqësuesi ligjor i “Eco-Higjiena” sërish mohojnë fajësinë
BKT
   Betimi për Drejtësi

Drejtori dhe përfaqësuesi ligjor i “Eco-Higjiena” sërish mohojnë fajësinë

Dy zyrtarët e kompanisë “Eco-Higjiena”, Senad Ramaj dhe Besim Osmani, pas kthimit të rastit në rigjykim, sërish kanë mohuar të kenë kryer veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve.

Senad Ramaj, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Eco-Higjiena”, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, kurse përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Besim Osmani, akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, dy të akuzuarit kanë mohuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Prokurori Uka, mbrojtësi i të akuzuarit Senad Ramaj, avokati Engjëll Rexhepi, deklaruan se qëndrojnë pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Ndërkaq, i akuzuari Besim Osmani, pasi deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse në shqyrtimin e kaluar, ka shtuar se prokurori ka dështuar të ofrojë prova.

Sipas tij, prokurori në asnjë fazë të procedurës nuk kishte dorëzuar autorizimin për të cilin pretendon se i akuzuari e kishte falsifikuar.

“Prokurori privat, sepse ky nuk është prokuror i shtetit, por privat, le ta sjellë autorizimin që unë e kam falsifiku, dhe unë publikisht po betohem se do ta pranojë veprën penale”, ka thënë i akuzuari.

Pas kësaj, prokurori Uka ka reaguar duke thënë se nëse i akuzuari vazhdon të flas në këtë mënyrë, ai do ta lirojë sallën e gjykimit.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi ia ka tërhequr vërejtjen të akuzuarit duke i thënë se do të merren masa ndaj tij, nëse vazhdon ta fyejë prokurorin Uka.

Tutje, seanca e së premtes ka vazhduar me procedimin e provave, përkatësisht me dëgjimin e dëshmitarëve Muhadin Haziri, Bajram Isufi dhe Isuf Daku.

Dëshmitari i parë në këtë rast, Muhadin Haziri, si ish-anëtar i Bordit të Aksionarëve të kompanisë “Eco-Higjiena”, ka thënë se mbetet në tërësi pranë deklaratës së kaluar në shqyrtim gjyqësor.

Ai ka thënë se kur i akuzuari Besim Osmani, është pranuar në punë si përfaqësues i lëndëve në gjykatë për kompaninë në fjalë, drejtor i kompanisë ka qenë Bajram Isufi.

Ai ka thënë se pranimi i Osmanit në kompani, është bërë pa shpallur ndonjë konkurs paraprak.

“Për emërimin e një përfaqësuesi ligjor që e përfaqëson kompanisë duhet me vendos komisioni aksionar i kompanisë”, ka thënë dëshmitari Haziri.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të përgjigjet nëse e ka paditur kompaninë “Eco-Higjiena”, dhe se sa para i ka marr nga kjo kompani.

Dëshmitari tjetër, Bajram Isufi, ish-kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Eco-Higjiena”, ka thënë se Besim Osmani, punën në këtë kompani ka filluar diku nga fundi i vitit 2012, ose fillimi i vitit 2013.

Ai ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka pasur ndonjë konkurs paraprakisht pasi i akuzuari Osmani ishte pranuar në punë në këtë kompani.

“Sa jam në dijeni nuk ka pasur ndonjë rast ku janë shfuqizuar autorizimet që i janë dhënë për përfaqësim. Besim Osmani shumë herë e ka përfaëësu kompanisë, sa herë ka pasur nevojë. Organet e kompanisë nuk kanë pasur vërejtje në punës e të akuzuarit Osmani”, ka thënë dëshmitari Isufi. Besimi e ka pas autorizimin e përgjithshëm nga bordi, dhe unë nuk di ndonjë rast që ai të ketë keqpërdorë autorizimin apo ta ketë falsifikuar”, ka thënë dëshmitari Isufi.

Dëshmitari i fundit në këtë rast, Shefki Daku ka deklaruar se ai qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe shqyrtim gjyqësor paraprak.

Kryetari i turit gjykues, Naser Maliqi, seancën tjetër e ka caktuar të mbahet më 14 janar 2020, në ora 13:30.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 25 qershor 2019, në mungesë të provave të akuzuarit Ramaj dhe Osmani i kishte lirar nga akuza.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar këtë ankesë dhe rastin në fjalë e ka kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë me 29 nëntor të vitit 2016, me të cilën, Senad Ramaj, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Eco-Higjiena”, në Gjilan, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza ngarkon gjithashtu edhe përfaqësuesin ligjor të kësaj kompanie, Besim Osmani, i cili akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Ramaj akuzohet se si drejtor i kompanisë, në kundërshtim me ligjin, më 10 korrik të vitit 2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin  nr.513. Sipas pretendimit të prokurorisë, i njëjti e ka ndryshuar dhe nënshkruar këtë aneks statut pa pëlqimin e bordit, si drejtor ekzekutiv, edhe pse e ka ditur se veprimet e tij bien në kundërshtim me statutin e shoqërisë aksionare.

Sipas aktakuzës, Ramaj ka marrë vendim në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokatë të pa licencuar, me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës një vjeçare.

Ndërkaq, sipas aktit akuzues, përfaqësuesi ligjor Besim Osmani, prej 1 janarit 2013 e deri tani, në mënyrë të vazhdueshme, me dashje ka falsifikuar dokumentin zyrtar-autorizimin.

Sipas aktakuzës, duke e ditur se nuk është i autorizuar si përfaqësues i SHPK “Eco-Higjiena”, nuk ka pasur autorizim të shkruar me shkrim nga Komisioni i Aksionarëve të kësaj kompanie, në atë mënyrë që duke përfaqësuar interesat pa kurrfarë baze juridike të kompanisë, duke përdor njëkohësisht dokumentin edhe vulën e kompanisë nëpër gjykata dhe nënshkruar me autorizime në kontratat si përfaqësues ligjor i kompanisë “Eco-Higjiena”.

Ai akuzohet se më 19 janar 2016, Komisioni Komunal i Aksionarëve, ka shfuqizuar çdo të drejtë të përfaqësimit në të gjitha organet gjyqësore të pandehurin Besim Osmani, pasi që ka falsifikuar kontrata, autorizimet, procesverbalet në emër të kompanisë.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se, i akuzuari Osmani ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi