Ndihmës-referenti i Gjykatës në Prishtinë lirohet nga akuzat për korrupsion
BKT
   Betimi për Drejtësi

Ndihmës-referenti i Gjykatës në Prishtinë lirohet nga akuzat për korrupsion

Gjykata Themelore në Gjilan, e ka liruar nga akuzat për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim pozite, ndihmës-referentin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Baki Rrahmani.

Për veprën penale “marrja e ryshfetit”, trupi gjykues me kryetar, Zyhdi Haziri, ka njoftuar se gjykata pas ricilësimit të kësaj vepre, në atë të mashtrimit, të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me gjobë, në shumë prej 1500 euro.

Gjykatësi Haziri, ka thënë se ricilësimi i kësaj vepre penale, është bërë me arsyetimin se nuk janë përmbushë elementet e veprës penale të marrjes së ryshfetit, por të asaj të mashtrimit.

Sipas gjykatësit Haziri, të akuzuarit Rrahmani do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga 22 shkurti 2019, deri më 21 maji 2019, ashtu që atij i mbetet të paguajë gjithsej edhe 300 euro gjobë, të cilat ai është obliguar t’i paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kurse, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në mungesë të provave, i akuzuari eshtër liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykata e ka obliguar atë që të paguajë paushallin gjyqësor prej 50 euro, si dhe shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës.

I dëmtuari Alji Sadrija, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndaj këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Haziri, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ngritur më 8 prill 2019, Baki Rrahmani, akuzohet se më 15 shkurt 2019, në brendësinë e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar-ndihmës-referent i ekzekutimeve në këtë gjykatë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marrë ryshfet, para në shumën prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Sipas organit të akuzës, i pandehuri Rrahmani, shumën prej 20 euro e ka marr ryshfet pasi që paraprakisht disa herë kishte pasur kontakte komunikimi përmes telefonit me Alji Sadrija dhe me të njëjtin janë takuar më 15 shkurt 2019, në një kafene afër QKUK-së në Prishtinë, dhe pas një bisede, i pandehuri Rrahmani, ka marrë shumën prej 10 euro.

Gjithmonë sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, rreth orës 17:30, në lokalin “Pranvera”, në Podujevë, i pandehuri Rrahmani është takuar me të dëmtuarin Sadrija, dhe ka marrë para ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri pasi që është person zyrtar në këtë gjykatë, të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Po ashtu, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Rrahmani, më 15 shkurt 2019, gjatë orarit të punës ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e tij, më qëllim të përfitimit pasuror për vete, ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare, ashtu që me dashje duke qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe duke i kuptuar sjelljet e tij në raport me veprimin e tij të kundërligjshëm, ka marrë shumë të parave prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, në mënyrë të përshkruar si më lartë.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i njëjti, ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 dhe “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipëDrejtësi

 


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi