Sërish dështon gjykimi për marrje ryshfeti ndaj oficerit korrektues
BKT
   Betimi për Drejtësi

Sërish dështon gjykimi për marrje ryshfeti ndaj oficerit korrektues

Për të dytën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, Mentor Avdylaj, aktualisht i suspenduar, i cili akuzohet se kishte marr dymijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të një personi, që ishte në vuajtje të dënimit.

Në këtë rast, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, akuzohet edhe Astrit Lajqi.

Njëjtë siç kishte dështuar të mbahet edhe seanca e kaluar më 19 shtator 2019, edhe seanca e së hënës ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit Lajqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues për këtë rast, Naime Krasniqi-Jashanica, tha se nga mbrojtësi i të akuzuarit Lajqi, avokati Fanol Krasniqi, ka pranuar një parashtresë ku njoftohet gjykata se i akuzuari Lajqi gjendet në Zvicër për trajtim shëndetësor.

Sipas kësaj parashtrese, gjykatësja tha se avokati Krasniqi ka kërkuar që të shtyhet kjo seancë, kurse si periudhë se kur mund të caktohet e radhës, avokati e ka përmendur muajin shkurt të vitit 2020.

Mirëpo, gjykatësja Jashanica tha se do të lëshojë urdhërarrest për të akuzuarin Lajqi, në mënyrë që të vërtetohet nëse me të vërtetë ai gjendet jashtë vendit apo jo, pasi siç tha, ka pasur informacione se edhe pse seanca e kaluar ishte shtyrë me arsyetimin se Lajqi gjendet jashtë vendit, i njëjti ishte parë në Prishtinë.

Në seancë, ishte i pranishëm i akuzuari tjetër, me mbrojtësin e tij, avokatin Fitim Malokaj, si dhe prokurori i rastit, Rafet Halimi, por në mungesë të akuzuarit Lajqi, seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Me arsyetimin se i akuzuari Lajqi gjendet në një trajtim mjekësor në Zvicër për shkak të problemeve shëndetësore ishte shtyrë edhe seanca e kaluar e paraparë të mbahej më 19 shtator 2019.

Ndryshe, Avdylaj si oficer i Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, në seancën e mbajtur më 27 dhjetor 2018, ishte deklaruar i pafajshëm.

I pafajshëm ishte deklaruar edhe i akuzuari Lajqi.

Lidhur me këtë rast, i akuzuari Avdylaj kishte qenë nën masën e paraburgimit, e cila i ishte hequr nga gjykatësi Mustaf Tahiri pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj tij.

Mirëpo, pasi që gjykatësi Tahiri ishte transferuar sërish në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pas skadimit të mandatit si gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rasti ka kaluar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e cila do të gjykojë këtë rast tash e tutje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylaj, për veprën penale “marrje e ryshfetit”, dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Në aktakuzë thuhet se Avdylaj 2000 euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të Shpejtim Hotit, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi dyshohet se kishte marrë 2000 euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi