500 euro gjobë ndaj të akuzuarës se fotografoi votën në zgjedhje
BKT
   Betimi për Drejtësi

500 euro gjobë ndaj të akuzuarës se fotografoi votën në zgjedhje

Të mërkurën, Gjykata Themelore në Gjakovë, e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarën për cenim të fshehtësisë së votimit, Kllara Nikollbibaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, është vërtetuar se e akuzuara e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas gjykatësit Zika e akuzuara Nikollbibaj është e obliguar që gjobën ta paguajë në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së tij në formë të shkruar.

E akuzuara Nikollbibaj ishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 16 nëntor të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Kllara Nikollbibaj po ngarkohet me veprën penale “cenimi i fshehtësisë së votimit”  nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 12:40, në Gjakovë, në vendvotimin e vendosur në shkollën fillore “Yll Morina”, në mënyrë të kundërligjshme cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 për deputet të Parlamentit të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse në ditën kritike është njoftuar nga ana e komisionerit zgjedhor të vendvotimit se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, e pandehura gjatë procesit të votimit me telefon e ka fotografuar fletëvotimin në të cilin kishte votuar. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi