RTK ia dorëzon Bernard Challandes-it çmimin "Personalitet i Vitit"
Në një ceremoni të veçantë, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati i ka dorëzuar përzgjedhësit të Kosovës në futboll Bernard Challandes çmimin “Personaliteti i Vitit 2019”.
Me motivacion për arritjet e tij nën drejtimin e Kombëtares së Kosovës në futboll, Kastrati ka përgëzuar përzgjedhësin Challandes dhe tërë kombëtaren për rezultatet e vitit 2019.
“Gjithë e dimë, gjithë e kemi pa kontributin dhe suksesin e tij që ka ardhë si vullnet i madh i tij që Kombëtarja të ketë sukses të madh. Ky çmim më herët i është ndarë personaliteteve të ndryshme si Rita Ora, Fadil Vokrri dhe Besim Hasani, ndërsa tash në vitin e katërt vazhdohet tradita duke e nderuar punën dhe kontributin e përzgjedhësit Challandes” – ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Ngadhnjim Kastrati.
Në anën tjetër Challandes është shprehur shumë falënderues për këtë vlerësim, duke thënë se nga rreth 2 milion banorë që ka Kosova, ndihet i nderuar të shpallet “Personaliteti i vitit”.
“Jam i lumtur për këtë çmim, sepse ky nuk është vetëm një çmim për futbollin, por për faktin që mua më bën nder duke u shpallur persponaliteti I vitit, që më rradhit në krah të personaliteteve të shumta të njohura, mes së cilave më herët është nderuar edhe presidenti Fadil Vokrri. Por unë ju them faleminderit shumë për mirënjohjen” – ka thënë përzgjedhësi Challandes pas marrjes së çmimit.
RTK me çmimet tradicionale të fundvitit për personalitetet e sportit dhe kulturës, synon të promovojë vlerat e këtyre dy lëmive, që deri tash kanë dhënë kontribut të madh në njohjen dhe promovimin sa më të mirë të Republikës së Kosovës.
























