Patriot Behrami, më i miri i Obiliqit
BKT
Sport

Patriot Behrami, më i miri i Obiliqit

Komuna e Obiliqit edhe këtë vit ka shpallur më të mirët në sport për vitin 2019.

Boksieri 19 vjeçar, Patriot Behrami ishte ai i cili u zgjodh sportisti më i mirë nga Komuna e Obiliqit për vitin 2019.

Suksesi i fundit i boksierit ishte medalja e bronztë në kampionatin ballkanik, i mbajtur në Turqi disa javë më parë. Behrami u shpreh mjaft i lumtur me fitimin e këtij çmimi, duke premtuar se sukseset në të ardhmen për të nuk do të mungojnë.

"Kjo është një ndjenjë mjaftë e veçantë për mua, sepse është hera e parë që marrë pjesë në shpalljen e më të mirëve në Komunën e Obiliqit dhe një falënderim i veçantë shkon për trajnerët e mi dhe për Federatën e Boksit, të cilët e bëjnë një punë të palodhshme”, u shpreh Behrami.  

Në ceremoninë e organizuar nga kjo komunë, të pranishëm ishin shumë figura të njohura sportive, ku nuk mungoi as i pari i kësaj komune Xhafer Gashi. Po ashtu të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu si dhe ai i Federatës së Boksit, Latif Demolli. Gashi në fjalën e tij u shpreh se Komuna e Obiliqit është shumë e kënaqur me të arriturat e sportistëve në vitin që po lëmë pas.

“Kur e mora mandatin para 6 viteve, fillova në komunën e vjetër dhe filluan normal si zakonisht shokët, miqtë, institucionet me ardhur me na uruar fillimin e punës, ndër ta ishte edhe ministri i FSK-së, Agim Çeku edhe aq keq dukej komuna në atë kohë, që sinqerisht lirshëm ndoshta kishim mundur me ia ofruar me ardhur për me bë ndonjë skenë të veçantë në atë komunë. Edhe unë normal si kryetar në fillim fillova me kërkesat e mija, pretendojshim mi hap disa rrugë, kërkonim ndihmë edhe nga FSK, që me forcën që kishin ata të na ndihmon dhe më tha që më vjen keq njëri nga ata s’po e potencoj me emër ishte gjeneral dhe tha se ne nuk mundemi t’ju ndihmojmë në këtë, përveç tha e kam një pyetje, ‘kur ja filloni punën?’ thash në ora 08:00, a bën tha në ora 07:00 me ardhur dhe me e minuar Komunën dhe me rrëzuar... E di që sonte do të bëhet shpallja e sportistit më të mirë, e di që dikush nga salla do del i zhgënjyer, arsyeja është sepse janë të gjithë të mirë, kur janë të gjithë të mirë është problem me zgjedh më të mirin", tha Gashi.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu lavdëroi punën e të parit të kësaj komune, duke u shpreh se falë punë së madhe të tij kësaj komune po i rikthehet fytyra e vërtetë.

"Ne jemi në shërbim, në fakt të gjithëve, jo vetëm në komunë por edhe e kemi obligim ndaj gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në kohëra të ndryshme, por po them, diçka që për herë të parë po them sepse e kam në zemër dhe dua ta them. Ju e keni pa në tv kur flitet shpesh kur një ushtar i UÇK-së e lenë pushkën e kap pendën, ky është Xhafer Gashi.

Duke i falënderuar të gjithë kryetarët e komunave që kanë qit nga një tullë këtu, për me ardhur deri tek kjo, por më duhet duke pasur përvojë të madhe në të gjitha vendet e Kosovës, mund të them lirisht se falë zgjuarsisë së tij, falë trimërisë, falë lidhjeve që i ka pasur, falë punë, fal këmbëngulësisë që ka pas kemi arritur që dalë nga dalë Obiliqit t’i rikthehet fytyra e vërtetë", tha Salihu.

Gjatë kësaj ceremonie u ndanë shumë çmime për sportistët veteran edhe ata aktual. Futbollistja më perspektivë në Komunën e Obiliqit u shpall Dafina Tahiri, ndërsa ai në konkurrencën e meshkujve u shpall Milot Kurtishi.

Futbollisti më i mirë u shpall Besart Dushi, kapiteni i skuadrës së KEK-ut, skuadër kjo që bënë pjesë në Ligën e Parë te Kosovës. Ndërsa Afrim Visoka u shpall trajneri më i mirë nga Komuna e Obiliqit.