Moment i “artë” për Golden State dhe Miami Heat
Vijon momenti i mirë për Golden State Warriors. Skuadra nga Oakland mposhti me rezultatin 105-96 Phoenix Suns në Oracle Arena duke regjistruar fitoren e 4-t rresht.
Suksesi i 9-të sezonal për Warriors që nëse vazhdojnë me këtë ritëm do t’i largohen fundit të renditjes në Perëndim dhe do të rikthehen në garë për një vend në fazën play-off. D’Angelo Russell me 31 pikë 5 rebound dhe 6 asiste, ishte më i miri mbi parket për Golden State, ndërkohë që miqëve nga Arizona nuk u mjaftuan 34 pikët e realizuara nga Booker.
4 fitore rresht bëri edhe Miami Heat falë suksesit të ngushtë 113-112 ndaj Indiana Pacers në American Airlines Arena. Një fitore në sekondat e fundit ajo e Miamit falë edhe 20 pikëve të realizuara nga ylli i ekipit Jimmy Butler.
Kjo ishte fitorja e 23-të për Miamin në 31 takime ndërkohbë që Indiana pësoi disfatën e 11-të. U rikthye menjëherë te suksesi Milwaukee Bucks që thelloi krizën e Atlanta Hawks. Në Georgia Atlanta pësoi humbjen e 9-të radhazi këtë herë me shifrat e thella 86-112 teksa diferencën për MilWaukee Bucks e bëri Middleton me 23 pikë, por lajmi i keq për kryesuesit e konferencës së Lindjes ishte dëmtimi i Giannis Antetokounmpo pas vetëm 6 minutash lojë.
Një fitore të madhe pas kohës shtesë me shifrat 102-104 mori Oklahoma City Thunder në transfertën ndaj Charlotte Hornets. Një sukses i vështirë për City Thunder ku diferencën e bëri kanadezi Gilgeous-Alexander me 27 pikë.























