Vërtetohet dënimi me burg efektiv ndaj të akuzuarit se propagandoi për ISIS
Sharr Travel

Vërtetohet dënimi me burg efektiv ndaj të akuzuarit se propagandoi për ISIS

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Berat Qamili, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Qamili akuzohej se përmes rrjeteve sociale kishte përkrahur organizatën terroriste “ISIS” dhe kishte bërë thirrje për t’u bashkuar në “luftën e shenjtë për xhihad”.

Për këtë vepër, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 gusht 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Qamili dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesë ndaj këtij aktgjykimi, brenda afatit ligjor kishte ushtruar i akuzuari Berat Qamili, i cili  kishte kërkuar nga Apeli zëvendësimin e këtij dënimi në atë me kusht, apo me punë në dobi të përgjithshme.

Mirëpo, kjo ankesë është refuzuar nga Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, me aktgjykimin e nxjerrë më 23 dhjetor 2019.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar, me rastin e caktimit të dënimit ka vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, në kuptim të nenit 73 dhe 74 të KPRK-së.

Aty thuhet se Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet ankimore për rrethanat për të cilat gjykata është dashur që t’i ketë parasysh, janë të pabazuara dhe si të tilla nuk arsyetojnë shqiptimin e llojit tjetër të dënimit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Berat Qamilit e kishte ngritur më 17 janar 2018, për shkak se gjatë vitit 2017, në vazhdimësi përmes rrjetit social “facebook”, me anë të postimeve të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive, kishte bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”.

Sipas aktakuzës, ai kishte përkrahur haptazi veprimet terroriste të organizatës “ISIS”, siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë duke bërë thirrje të gjithë myslimanëve që t’i bashkëngjiten “luftës së shenjtë për xhihad”.

Në aktakuzë thuhet se ai më 28 nëntor 2017, në llogarinë e tij të rrjetit social “facebook”, me emrin Berat Qamili-Qamili, kishte shpërndarë fotografi kërcënuese në të cilën është paraqitur një gomë e një automjeti të lyer me gjak në të cilën janë lënë gjurmët e përgjakshme me fjalët “nisu drejt tyre pa mëshirë”.

Sipas aktakuzës, ai kishte shpërndarë fotografi të ushtarit të “ISIS”-it , si dhe postimin me përmbajtje “qofshin të poshtëruar kushdo që ngritë këto sorra mbi shtëpitë e tyre”, ku është shtiza me flamurin kombëtar, ndërsa me 20 dhjetor 2017, ai ishte arrestuar nga policia.

PSRK, Qamili po e ngarkon me veprën penale “bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake apo parapolicore, në organizimet grupore ose individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi