Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për krim të organizuar
Tre të akuzuarit për krim të organizuar dhe vepra tjera penale, Agron Kelmendi, Razim dhe Qazim Muriqi, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Agron Kelmendi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ka kryer veprat penale krim i organizuar, mashtrim, shkelja e besimit, falsifikimi i dokumentit, uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë.
Ndërsa, dy të akuzuarit e tjerë, Ramiz dhe Qazim Muriqi akuzohen nga PSRK-ja, se secili veç e veç, kanë kryer veprat penale krim i organizuar, mashtrim në vazhdimësi, shkelja e besimit, falsifikimi i dokumenteve dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Atdhe Dema, tre të akuzuarit mohuan fajësinë për veprat penale që u ngarkoheshin.
Pas deklarimit të të akuzuarve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Selimaj, ka njoftuar palët se brenda 30 ditësh ata mund të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës.
Shqyrtimi i dytë në këtë çështje penale është caktuar të mbahet më 6 mars, nga ora 10:00.
Kjo seancë ka arritur të mbahet pas tri dështimeve të një pas njëshme, përkatësisht ajo e 4 nëntorit, e 9 dhjetorit 2019, dhe ajo e 9 janarit të këtij viti.
Agron Kelmendi akuzohet nga Prokuroria Speciale për pesë vepra penale dhe atë “krim i organizuar”, në shkelje të nenit 274 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, “mashtrim në vazhdimësi”, në kundërshtim me nenin 261 të ish KPPK-së, “shkelja e besimit”, nga neni 269 të ish-KPPK-së, “falsifikim i dokumentit”, nga neni 203 të Kodit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, në kundërshtim me nenin 259, par.1 të ish-KPPK-së, “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, sipas nenit 334 të ish-KPPK-së
Sipas aktakuzës, Kelmendi akuzohet se nga viti 2000 deri në vitin 2012, ka organizuar, themeluar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar veprimtaritë e një grupi të organizuar, në bashkëkryerje me Ramiz Muriqin, Qazim Muriqin, në territorin e Komunës së Pejës, Deçanit, Gjakovës dhe vende të tjera, ka kryer krime të rënda të mashtrimit të shkeljes së besimit dhe legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë, dhe ka marrë pjesë aktive në aktivitetet kriminale të grupit të organizuar, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në kryerjen e krimeve të rënda në lidhje me krimet me prona.
Për mashtrim, Kelmendi akuzohet nga prokuroria se në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, në bashkëkryerje me të akuzuarit Muriqi, ka mashtruar personat e tjerë ose i ka mbajtur në mashtrim me anë të një përfaqësimi të rremë apo duke fshehur fakte, dhe më këtë rast ka detyruar këta persona për të bërë apo për të mos kryer veprime në dëm të pasurisë së tyre ose pronës së të tjerëve.
Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Kelmendi në bashkëkryerje me të akuzuarit Muriqi, të ndjerin R.R dhe të tjerët, në përfaqësimin e interesave pronësore të viktimave të tij, nuk ka arritur të kryej detyrat e tij dhe ka keqpërdorur autorizimet e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët dhe i ka shkaktuar dëme interesave të personave të cilëve ai ishte duke i përfaqësuar interesat pronësore apo prona që ishin nën kujdesin e tij.
Kelmendi akuzohet nga prokuroria edhe për falsifikim të dokumentit, për shkak se në bashkëkryerje me të akuzuarit Muriqi, të ndjerin R.R dhe të tjerët, ka hartuar shumë dokumente të rreme që kanë të bëjnë me transaksionet e pasurive të patundshme dhe/ose ndryshuar dokumentet e vërteta me qëllim për të përdorur dokumente të tilla si të vërteta ose me vetëdije ka përdorur dokumente false apo të ndryshuara si të vërteta.
Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Kelmendi edhe me veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, sepse ai në mënyrë të paligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër apo një pjesë të saj.
Gjithashtu, Kelmendi akuzohet edhe për “legalizim të përmbajtjes së pavërtetë”, për shkak se në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë ka mashtruar autoritet kompetente në certifikimin e autorizimeve mashtruese të dispozitave të pavërteta në kontratat e shitjes të dizajnuara që të shërbejnë si provë në një çështje ligjore në regjistrat kadastral komunale.
Ramiz Muriqi akuzohet nga PSRK-ja se ka kryer veprën penale krim i organizuar, se në bashkëkryerje me të pandehurit Agron Kelmendi dhe Qazim Muriqi, në territorin e Komunës së Deçanit dhe Gjakovës e vende tjera, kanë kryer krime të rënda, si pjesë e një grupi të organizuar, dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitet kriminale të një grupi të organizuar kriminal duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në kryerjen e krimeve të rënda të mashtrimit, shkelja e besimit, legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë dhe vepra tjera penale, këto vepra penale në raport me krimet e pronës. /Betimipërdrejtësi























