FFK kërkon mobilizim nga delegatët e ndeshjeve për pranverë
Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e garave të stinorit pranveror, sot, në selinë e FFK-së, Komisioni i Garave në përbërje Abdyl Bellopoja, Isak Ejupi e Agim Kastrati, ka mbajtur seminarin me delegatët e Ipko Superligës dhe Ligës së Parë.
Fillimisht para delegatëve është mbajtur ligjërata obliguese e UEFA-s kundër kurdisjes së ndeshjeve nga zyrtari për integritet në FFK, Ejup Osmani. Ai me këtë rast ka kërkuar nga delegatët e ndeshjeve që të jenë syçelë dhe çdo dyshim për rezultat të kurdisur të një ndeshje ta paraqesin në raportin e tyre, ngase në këtë mënyrë do ta kryejnë punën e tyre me përgjegjësi dhe njëherësh do të ndihmojnë në parandalimin e kësaj dukurie. Tutje z. Osmani ka bërë me dije se tashmë manipuluesit e tillë të kurdisjeve janë paraqitur edhe në futbollin e Kosovës, prandaj sipas tij është e domosdoshme që ky fenomen të luftohet bashkërisht. Më pas gjatë këtij seminari për ndryshimet në procesverbalin e ndeshjes ka folur Adem Çollakaj, si dhe janë diskutuar lëshimet e ndodhura në stinorin vjeshtor, teksa anëtarët e KG-së kanë kërkuar mobilizim maksimal nga delegatët për mbarëvajtje sa më të mirë të garave në stinorin pranveror.























