Apeli vërteton dënimin me gjobë ndaj ish-asamblistit në Drenas

Apeli vërteton dënimin me gjobë ndaj ish-asamblistit në Drenas

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin ndaj ish-asamblistit në Komunën e Drenasit, Ajet Demiri, i cili ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 1800 euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor për konflikt interesi.

Gjykata e shkallës së dytë e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e tanimë të dënuarit Demiri ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, i cili kishte kërkuar nga Apeli që aktgjykimi të ndryshohet dhe që ai të lirohet nga akuza, apo që çështja të kthehet në rivendosje.

Prokuroria e Apelit, me parashtresën e 11 nëntorit 2019, kishte propozuar që ankesa e të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Vendimi i Apelit thotë se aktgjykimi nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara në ankesë, e as shkelje të tjera, të cilat kjo gjykatë i shqyrton edhe sipas detyrës zyrtare, të cilat kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit.

Sipas këtij vendimi, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, konkret, nuk përmban kundërthënie me vetveten e as me arsyetimit e tij, ngase gjykata e shkallës së parë në dispozitiv ka paraqitur të gjitha faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale “konflikt interesi”.

“Që do të thotë se në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar janë përshkruar të gjitha veprimet inkriminuese të akuzuarit që përbëjnë elementet e veprës penale “ konflikt i interesit” nga neni 424, paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Sa i përket pretendimit të Demirit, në drejtim të parashkrimit të ndjekjes penale, thuhet se në rastin konkret duke pasur parasysh kohën e kryerjes së veprës penale, ku nga kontratat e nënshkruara rezulton se të gjitha janë nënshkruar gjatë vitit 2014 dhe 2015, atëherë rezulton se nuk ka kaluar afati absolut i ndjekjes penale. Sipas Apelit, nuk ka kaluar as afati relativ i ndjekjes penale.

Aty thuhet se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se Demiri ka kryer veprën penale “konflikt interesi” është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se i akuzuari ka ndërmarrë veprimet inkriminuese.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 gusht 2019, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-asamblist në Komunën e Drenasit, Ajet Demiri, për veprën penale të konfliktit të interesit.

Demiri ishte dënuar me gjobë në vlerë prej 1800 euro, shumë të cilën duhet ta paguajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ky rast ka nisur sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 mars 2017, e cila Ajet Demirin e ngarkon me veprën penale “konflikt i Interesit”, nga neni 424 paragrafi 1, i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Demiri, në cilësinë e këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa private të drejtpërdrejta, personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete.

Kjo, pasi siç pretendon prokuroria, Demiri duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij “Pro-Ing”, ka fituar disa tender dhe ka lidhur shtatë kontrata.

Sipas aktakuzës, ndër kontratat ishin, renovimi i kulmit në SHFMU “Rexhep Xheli” në Likoshan, renovimi i dyshemesë në SHFMU “Mehmet Gradica” në Gradicë, renovimi i objektit të Kryqit të Kuq-faza e dytë, etj.

Për këto kontrata, Demiri sipas aktakuzës, ka autorizuar që me firmën e tij, NNP “Pro-ing”, të administrojë dhe të menaxhojë Florije Smajli, me të cilën edhe bashkëjeton dhe e njëjta ka nënshkruar këto kontrata, kurse në njoftimin për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues i Komunës së Drenasit, është shkruar emri i të pandehurit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi