Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje pylli në Istog

Dënohet me gjobë i akuzuari që pranoi fajësinë për vjedhje pylli në Istog

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për vjedhje të pyllit, Liridon Zekaj.

Njëkohësisht, i akuzuari është obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale, në shumën totale prej 50 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Gani Rugova, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohej.

Ai është shprehur se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer.

“Drutë i kam pas për nevojat e mia personale, ngase nuk e kam gjendjen e mirë ekonomike. E vërteta është se trungun që e kam prerë ka qenë i dëmtuar, prandaj edhe e kam prerë”, ka thënë i akuzuari.

Pas kësaj, prokurorja Suada Hamza, i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit Zekaj, pranimi i fajësisë t’i merret si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin e tij.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 28 tetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Liridon Zekaj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet, se më 10 maj 2019, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur “Kosharisht”, rajoni ekonomiko-pyjor “Radushë”, të Komunës së Istogut, i pandehuri me qëllim të vjedhjes, me sharrë motorike ka prerë një trung të drurit të llojit “Ahu”,  me vëllim të përgjithshëm prej 4.82 metra kub.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 617 euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi