Të akuzuarit se keqpërdorën votën në zgjedhje nuk e kundërshtojnë aktakuzën

Të akuzuarit se keqpërdorën votën në zgjedhje nuk e kundërshtojnë aktakuzën

Të akuzuarit Beg dhe Artan Gashi, nuk e kanë kundërshtuar aktakuzën që ata i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të së drejtës së votimit.

Ata akuzohen se një vepër të tillë penale e kishin kryer në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që ishin mbajtur më 6 tetor të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ata kanë pasur të drejtë që brenda afatit prej 30 ditësh të kundërshtojnë aktakuzën me shkrim, apo gjatë seancës së shqyrtimit të dytë, mirëpo këtë të drejtë nuk e kanë shfrytëzuar.

Për akuzën e Prokurorisë së Pejës të pandehurit Gashi nuk kanë angazhuar mbrojtës.

Si pasojë e mosparaqitjes së kundërshtimeve, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor, në të cilën do të thirrën tetë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.

Po ashtu, të akuzuarit gjatë seancës së shqyrtimit të dytë, deklaruan se nuk dëshirojnë të caktojnë avokat edhe pse i akuzuari Artan Gashi tha se mbrojtësi i tij, kishte dalë në pension dhe nuk e ushtron më këtë funksion.

Seancat e radhës janë caktuar më 24 dhe 25 shkurt 2020, nga ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Artan Gashi dhe Beg Gashi akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të së drejtës së votës.

Sipas aktakuzës, Beg Gashi akuzohet se më 6 tetor 2019, rreth orës 13:00, në Shkollën e Mesme të Ulët “Dëshmorët”, në fshatin Përqevë të Klinës, në zgjedhjet e përgjithshme, në cilësinë e Komisonerit–Anëtarit të Këshillit të Vendvotimit, i ka mundësuar të pandehurit Artan Gashi, që të votojë në emër të personit tjetër, në atë mënyrë që të njëjtit i mundëson që me letërnjoftimin e vëllait të tij, Arbon Gashi, të votojë në emër të tij, i cili nuk kishte votuar në ditën e zgjedhjeve, për shkak se jeton në Itali.

Ndërsa, Artan Gashi akuzohet se ka votuar në emër të personit tjetër, në atë mënyrë që i njëjti merr letërnjoftimin e vëllait të tij, Arbon Gashi dhe voton në emër të tij, i cili nuk kishte votuar ditën e zgjedhjeve për shkak se jeton në Itali. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi