Mazzarri drejt shkarkimit, edhe De Biasi kandidat për ta zëvendësuar
Humbja 0-7 në shtëpi përballë Atalantës, eliminimi nga Kupa e Italisë përballë Milanit dhe së fundi disfata në “Via Del Mare” përballë Lecces duket se kanë vulosur fatin e Walter Mazzarrit, që pritet të shkarkohet gjatë ditës së sotme.
Një sezon tejet negativ për “granatat”i shënjuar edhe nga një marrëdhënie asnjëherë e mirë mes trajnerit dhe publikut torinez, duket se kanë “mbushur kupën” e presidentit Urbano Cairo, që këtë herë nuk ka ndërmend t’i konfirmojë besimin.
Vetë Mazzarri ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, ndërsa dje pas ndeshjes me Leccen nuk ka udhëtuar me skuadrën, një shenjë kjo që ka nuhatur qartë faktin që e pret shkarkimi.
Mediat në Itali flasin për kontakte mes presidentit Urbano Cairo dhe trajnerit Moreno Longo, i cili ka drejtuar më herët me sukses edhe të rinjtë e skuadrës së Torinos dhe tani do të ishte gati të ulej në pankinë bashkë me stafin e tij.
Megjithatë nëse nuk do të arrihet marrëveshja për Longon, opsioni i radhës për Cairon është ish trajneri i Kombëtares Shqiptare Gianni De Biasi, i cili vijon të mbetet i papunë dhe në pritje të një oferte për t’u rinisur.
Edhe ky i fundit është një njohës i mirë i ambientit te Torino, pasi e ka drejtuar skuadrën në sezonin 2005-2006 dhe më pas në 2007-ën, ndërsa nëse do t’i besohet një shans i tretë, është gati të bëjë më të mirën për të marrë konfirmimin edhe për një tjetër vit.























