Buleshkaj tregon për masat që ishin marr për arratisjen e Lushtakut
Sharr Travel

Buleshkaj tregon për masat që ishin marr për arratisjen e Lushtakut

Në rastin për arratisjen e ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), Sami Lushtaku dhe të tjerëve, ka dhënë deklaratë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj, i cili në atë kohë kishte ushtruar pozitën e udhëheqësit për siguri në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Korrektues.

Në këtë rast, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt nga QKUK-ja, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Në ditën kur kishte ndodhur arratisja nga QKUK-ja, dëshmitari Buleshkaj ka thënë se komandanti i Stacionit Policor në Prishtinë, Binak Berisha e kishte telefonuar dhe e kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur, por pasi dëshmitari kishte qenë në pushim, ai tha se kishte kontaktuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Sokol Zogaj, i cili i kishte thënë se nuk kishin pasur asnjë transfer të planifikuar.

Pas dy orësh, ai tha se kishte shkuar në zyrë dhe kishte vazhduar me menaxhimin e rastit së bashku me kolegët dhe se kishte biseduar me të akuzuarin Bashkim Dervisholli, i cili i kishte thënë se kishte qenë në repart në prezencë të dy policëve, por se i burgosuri nuk ishte në dhomë.

“E kam pyetur Dervishollin se ku ka qenë i burgosuri, përgjigja e tij më ka thënë se në dhomë nuk është, e policia nuk po më lenë me dal me shiku para spitalit, ai më tha isha në tualet dhe se u ktheva ai nuk ishte në dhomë”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se nga drejtori i përgjithshëm, Shemsi Hajrizi, ishte ngritur një komision hetimor, por tha se ai nuk kishte qenë pjesë e atij komisionit.

Sipas tij, për sigurinë e një të burgosuri duhet të caktohen dy oficerë korrektues, por në rastin konkret tha se kishte qenë i caktuar vetëm një, por tha se nuk e dinte arsyen pse e kishin vlerësuar se në këtë rast duhet të jetë vetëm një oficer korrektues, por sipas tij, njëra nga arsyet do të mund të ishte mungesa e stafit.

Ai tha se asnjëri prej të burgosurve nuk kishte qenë i kategorizuar me rrezikshmëri të lartë dhe për këtë arsye nuk ishin siguruar masa të rrepta të sigurisë.

Për këtë ngjarje, ai tha se ishte bërë një hetim i brendshëm nga komisioni i ngritur nga Drejtoria Qendrore dhe se çdo gjë që kishte ndodhur ishte përfshirë në atë raport, në të cilin sipas dëshmitarit, ishte theksuar se stafi korrektues që kishin qenë në detyrë për një moment e kishin humbur kontrollin dhe sigurinë e të burgosurve që kishin qenë të shtruar në spital.

“Ndaj këtij stafi me sa e di janë marrë masa disiplinore. Ne jemi informuar se personat janë kthyer në institucionet korrektuese, por nuk arritëm me kuptu se ku kishin qenë këta persona”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se për shkak të largësisë nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë, ruajtja e të burgosurve të kësaj qendre bëhet nga stafi i Qendrave të Paraburgimit në Prishtinë dhe Lipjan.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti se a kishin pasur kërkesa nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë për sigurimin e oficerëve korrektues, dëshmitari ka thënë se për rastin konkret nuk i kujtohet, por tha se me siguri se procedura kishte shkuar si çdoherë.

Në lidhje me sigurinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, dëshmitari ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës për shkak të rebelimit të strukturave paralele në pjesën veriore, ishte dashur që të tërhiqej stafi korrektues shqiptar pasi kishin qenë të rrezikuar.

Ai tha se në atë kohë këtij stafi i ishte thyer vetura, e cila i kishte dërguar ata në pjesën veriore dhe se gjendja e sigurisë në atë pjesë kishte qenë e brishtë.

“Edhe në kohën kur është lëshuar ajo urdhëresë që nga Dubrava të dërgohen në Mitrovicë arsyeja pse nuk e kemi zbatuar ka qenë gjendja e sigurisë në atë pjesë të cilat në atë kohë drejtori i përgjithshëm së bashku me stafin ka kërkuar për zbatimin e atij vendimit të gjykatës, sipas meje zbatimi i urdhëresës në atë kohë do të kishte rrezik për të burgosurit për të cilët është lëshuar ajo urdhëresë, për familjarët e tyre që do të kishin shkuar për ti vizituar”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se për shkak se në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë nuk kishte qenë asnjë shqiptar dhe pasi institucionet e sigurisë nuk kishin ushtruar kontroll të plotë, sipas tij, jeta e të paraburgosurve do të rrezikohej në çdo moment.

Në lidhje me dërgimin e një të paraburgosuri në QKUK, dëshmitari ka thënë se në këtë qendër vetëm në dy reparte i kishin dhomat e sigurta dhe se ishte sfidë për shërbimin korrektues dhe policinë pasi në disa raste tha se ishin detyruar që ti dërgojnë të burgosurit në dhomat me pacientë të tjerë.

Ai tha se telefonat mobilë janë të ndaluar në institucione korrektuese dhe se në këto institucione gjendet kabinat telefonike të cilat mund të shfrytëzohet nga të burgosurit, por tha se të paraburgosurit për të përdorur këtë kabinë duhet që të kenë leje dhe aprovimin nga gjyqtari i procedurës paraprake.

I akuzuari Ismajl Dibrani e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet takimi me një monitorues të EULEX-it, ku ishte theksuar se ky monitorues me emrin “Marko”, do ta hetojë edhe drejtorin e burgut, në këtë rast Ismajl Dibranin, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet dhe se ai kishte qenë vetëm monitorues e jo organ i akuzës.

“A jeni në dijeni që gjatë takimeve që keni pasur dhe ka qenë prezent përfaqësuesi i EULEX-it i ka thirr prokurorët dhe i ka njoftuar për çështjen e caktuar duke kërkuar që të merren me rastin”, ishte pyetja e Dibranit drejtuar dëshmitarit po që ky i fundit tha se nuk i kujtohet.

“Unë pezullohem nga detyra me arsyetimin se ka aktakuzë ndaj meje, por pa pasur aktakuze, ndërsa intervistimi ka ndodhur një ditë pas suspendimit, prapë nuk ka pasur aktakuzë a keni qenë ju në njohuri se do të largohem nga puna”, ka qenë pyetja tjetër e Dibranit, por dëshmitari është përgjigjur se nuk ka qenë në dijeni.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 5 shkurt 2020, në ora 09:30.

Ndryshe, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi