Coutinho s’është pishman që u largua nga Liverpooli
BKT
Sport

Coutinho s’është pishman që u largua nga Liverpooli

Philippe Coutinho nuk është aspak i befasuar me sukseset e Liverpoolit në dy vjetët e fundit.

Megjithatë, ylli brazilian insiston se nuk është pishman që ishte larguar nga “Anfield Road”.

27 vjeçari i ishte bashkuar Barcelonës në janar të vitit 2018 pas pesë vjetësh të kaluar me “Reds”.

Ai nuk e gjeti veten sa duhet në Camp Nou dhe verën e kaluar u huazua në Bayern Munich.

Ish-futbollisti i Interit dhe Espanyolit thotë se nuk i vajton asnjëherë vendimet që i ka marrë.

“Liverpooli po fluturon dhe kjo nuk po më befason mua. E kemi parë vitin e kaluar duke e fituar Ligën e Kampionëve. Nuk jam i befasuar pasi ka ekip dhe trajner fantastik. Jam mjaft i lumtur për ta, kam miq atje”, ka thënë Coutinho për “Sports Illustrated”.

“Por, unë nuk shikoj prapa. E kam bërë një tjetër hap, jam në një tjetër rrugë. Jam i fokusuar për t’i arritur ëndrrat. Jam i lumtur me atë që e kam bërë në të kaluarën dhe tash po shikoj vetëm përpara”, shtoi përfaqësuesi brazilian, raporton GE.

Coutinho nuk dëshiron të rikthehet në Barcelonë dhe shpreson ta vazhdojë eksperiencën në “Allianz Arena”.