Gjykata shpall aktgjykim refuzues ndaj producentëve
Sharr Travel

Gjykata shpall aktgjykim refuzues ndaj producentëve

Pas rikualifikimit ligjor të veprës penale nga “mashtrimi në detyrë” në “mashtrim lidhur me subvencione” të bërë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo gjykatë ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj producentëve, Nehat Fejza dhe Armond Morina.

Morina dhe Fejza, ishin shpallur fajtorë në dhjetor të vitit 2016, nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishin dënuar me nga një vit burgim me kusht, por këto dënime, ishin ashpërsuar pastaj nga Gjykata e Apelit, e cila Fejzën e kishte gjykuar me dy vjet burgim me kusht, kurse Morinën me një vit e gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, pas kërkesave për mbrojtje te ligjshmërisë së paraqitura nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve, Arianit Koci dhe Osman Havolli, Gjykata Supreme i kishte anuluar pjesërisht aktgjykimet e Themelores dhe Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini deklaroi se gjykata ka vendosur të bëj rikualifikimin ligjor të veprës penale që u vihej në barrë të akuzuarve, pasi vërtetoi se të njëjtët nuk kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë, raporton “Betimi për Drejtësia”.

Por, sipas trupit gjykues, të dy kanë kryer veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”, meqenëse në veprimet e të akuzuarve përmbushen elementet e kësaj vepre penale.

Tutje, gjykatësja Çerkini deklaroi se pas këtij rikualifikimi ligjor ndaj të akuzuarve refuzohet aktakuza për shkak se është arritur parashkrimi absolut për veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”.

Ajo tha se kjo për faktin se për veprën penale “mashtrimi lidhur me subvencionet”  parashihet dënimi me gjobë ose me burg deri në 5 vjet dhe sipas nenit 90, paragrafi 1, pika 4, e Kodit Penal të Kosovës, ndjekja nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar  më shumë se 5 vite nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se 3 vjet.

“Ndërsa, sipas nenit 91 të njëjtit Kod penal të Kosovës, paragrafi 6,  ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale që do të thotë se ka arritur parashkrimi absolut  i ndjekjes penale për veprën penale “mashtrimi me subvencionet”, deklaroi ajo.

Sipas saj, kjo duke pasur gjithnjë parasysh kohën e kryerjes së veprës penale, ku për njërin të akuzuar është viti 2006, përkatësisht për të akuzuarin Armond Morina viti 2008.

Pala e dëmtuar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është udhëzuar që kërkesën pasurore- juridike ta realizojë në proces të rregullt juridiko-civil, raporton “Betimi për Drejtësia”.

Të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe dy ish-ministrat e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri, të cilët ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mirëpo duke vendosur sipas ankesave të mbrojtësve, Apeli e kishte liruar ish-ministrin Beqiri, kurse ndaj Haraqisë ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 15 dhjetor 2016, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Morina dhe Fejza për shkak të veprës penale të mashtrimit në detyrë, dhe të njëjtit i kishte gjykuar me nga një vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse të akuzuarit nuk do të kryenin vepra tjera penale në periudhën e verifikimit prej dy vjetësh.

Fejza dhe Morina ishin obliguar që të dëmtuarës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar dhe atë, i dënuari Morina në shumë prej 100.000 euro, kurse i dënuari Fejza në shumë prej 188.000 euro, në afat jo më gjatë se tre muaj, pasi ky aktgjykim të merrte formën e prerë, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.

Gjykata e Apelit, më 11 prill 2017, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që të akuzuarit Fejza i kishte shqiptuar dënim prej dy vjetësh burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i dënuari në afatin prej tre vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale, dhe ishte urdhëruar që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 188.000 euro.

Apeli ia kishte rritur dënimin edhe Armond Morinës, ashtu që të njëjtit ia kishte shqiptuar dënimin prej një vit e gjashtë muaj burgim, e i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai në afatin e verifikimit prej tre vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale dhe ishte urdhëruar që MKRS-së t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 100.000 euro, në afat prej tre muajsh pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm.

Sipas këtij aktgjykimi, nëse të akuzuarit nuk do të përmbushnin këto detyrime dhe nuk do të kompensonin dëmin e shkaktuar ndaj MKRS, dënimi me kusht do tu revokohej.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kishin paraqitur mbrojtësi i të dënuarit Fejza, avokati Osman Havolli dhe avokati i Armond Morinës, Arianit Koci, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale dhe për shkak të shkeljeve të ligjit penal.

Të njëjtit i kishin propozuar Gjykatës Supreme që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të aprovohen si të bazuara, kurse aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Kurse, përgjigje në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë kishte dhënë Prokurori i Shtetit, me të cilën kishte propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë  e mbrojtësve të të pandehurve të refuzohen si të pabazuara.

E duke vendosur lidhur me pretendimet e mbrojtësve, Supremja i ka aprovuar si të bazuara të njëjtat, duke ardhur në përfundim se aktgjykimet e Themelores dhe të Apelit janë marr me shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas vendimit të Supremes, Gjykata e Apelit me rastin e shqiptimit të dënimit ndaj dy të akuzuarve ka zbatuar në mënyrë të kombinuar dispozitat e Kodit të Përkohshëm Penal, si dhe të Kodit ekzistues Penal, ashtu që dënimet me burgim i ka shqiptuar sipas Kodit të Përkohshëm ndërsa dënimet plotësuese sipas Kodit Penal në fuqi.

“Gjykata e Apeli në rastin konkret nuk ka mundur t`i aplikoj në mënyrë të kombinuar dispozitat e ligjit që ka pushuar së funksionari dhe të ligjit që gjendet në fuqi sepse, po të lejohej mundësia e tillë, atëherë gjykata në fakt krijon ligj të ri penal, gjegjësisht do të gjykonte kryesin e veprës penale  sipas ndonjë ligji që nuk ka qenë në fuqi asnjëherë”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Po ashtu, sipas vlerësimit të Supremes qëndron e dhe pretendimi i mbrojtësit të të akuzuarit Fejza se aktgjykimi i Apelit është marr me shkelje të ligjit penal në rastin kur të akuzuarit i ka urdhëruar se nëse nuk i kompensojnë dëmet e shkaktuara MKRS-së, atëherë do të filloj procedura e revokimit me kusht ndaj të akuzuarve.

Sipas Supremes, këto dispozita ligjore fare nuk i referohen rastit konkret për faktin se nuk bëhet fjalë për kryerje të ndonjë vepre penale të mëparshme para se të jenë dënuar me kusht të akuzuarit.

“Në rastin  konkret gjen vend dispozita e nenit 47 të KPPK-së ku theksohet se nëse dënimi me kusht është kushtëzuar me përmbushjen e një detyrimi të paraparë me nenin 43(3) të këtij Kodi dhe personi i dënuar nuk e përmbush këtë detyrim në afatin e caktuar nga gjykata, gjykata mund ta vazhdojë afatin e përmbushjes së detyrimit brenda afatit të  verifikimit apo mund ta revokojë dënimin me kusht dhe ta ekzekutojë dënimin i cili është caktuar me dënimin me kusht. Nëse gjykata konstaton se i dënuari për shkaqe të arsyeshme nuk ka mund ta përmbushë detyrimin e caktuar më parë, gjykata e heq përmbushjen e atij detyrimi ose e zëvendëson atë me një detyrim tjetër përkatës të paraparë me ligj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu sipas Supremes, shkalla e parë dhe ajo e dytë gjatë administrimit të provave pjesërisht u kanë dhënë besimin deklaratave të dënuarve dhe vlerësimit të ekspertizës financiare të ekspertit, e sipas instancës më të lartë gjyqësore, mjeteve provuese ose duhet t`u jepet besimi i plotë ose jo, gjegjësisht arsyetohet cilës pjesë dhe për çfarë arsyesh i jepet besimi.

“Në vendimet e gjykatave të kundërshtuara ndër të tjera theksohet se të dënuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete kanë prezantuar në MRKS llogari të rreme duke mos cituar asnjë provë të vetme gjatë shqyrtimit gjyqësor  për ta mbështetur bindjen e saj se faturat e prezantuara nga të dënuarit janë fiktive. Në aktgjykimet e atakuara, për këtë gjykatë është e pakuptueshme se cilës pjesë të ekspertizës së ekspertit financiar gjykata i ka dhënë besimin e cilës jo”, thekson Supremja në vendimin e saj.

Në rigjykim, Gjykata Supreme i ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë dhe atë të dytë që të veprojnë sipas vërejtjeve të përmendura dhe pasi që t`i administrojnë të gjitha provat,  posaçërisht të fokusohen në vlerësimin e ekspertizës ekzistuese duke e ftuar ekspertin në seancën e shqyrtimit gjyqësor për  sqarime shtesë apo sipas nevojës dhe vlerësimit të gjykatës, të caktojë ekspertizë tjetër nga lëmia e kinematografisë, të njëjtat t’i vlerësojnë dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave duhet të nxjerrën konkluzione të drejta  të ligjshme dhe të bazuara në provat e administruara e më pastaj të nxirret vendimi përkatës.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishin dënuar me nga 10 muaj burg me kusht, Armond Morina ishte dënuar me burg efektiv prej gjashtë muajsh, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.

Mirëpo, rasti ishte kthyer në rigjykim pastaj më 2 qershor 2016, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale.

Prokuroria i ngarkonte dy ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri me veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ku siç thuhej kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës”, të producentëve Armond Morina dhe Nehat Fejza.

Ndërsa, dy të fundit akuzoheshin për veprën penale të ‘mashtrimit në detyrë’.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve ishte ngritur në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre kishte nisur në marsin e vitit 2014.

Sipas aktakuzës, ish-ministri Astrit Haraqija ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, ndërsa më 27 shkurt 2006, kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures” për filmin “Ndjekja e Larës”, në vlerë prej 220,000 euro.

Në aktakuzë thuhet se më 30 janar 2007, i njëjti nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films” për filmin “Mysafir në sofër”, në vlerë prej 350,000 euro.

Ndërkaq, ish-ministri Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2008-2010, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100,000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Ministria e Kulturës nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën totale prej 570,000 eurove, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe atë për Kinematografinë. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi