Tërnava kërkon nga gjykata që t’ia ndaloj Emin Behramit fyerjet dhe shpifje

Tërnava kërkon nga gjykata që t’ia ndaloj Emin Behramit fyerjet dhe shpifje

Përfaqësuesit e propozuesit-paditësit Naim Tërrnava, avokatët Nasuf Hasani dhe Arben Geci, në seancën dëgjimore të mbajtur të enjten, kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë vendosjen e masës së sigurisë ndaj kundër propozuesit-të paditurit Emin Behrami, me pretendimin se i njëjti ka bërë shpifje dhe fyerje ndaj klientit të tyre.

Avokati Hasani ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë kërkesës për propozimin e masës së sigurisë, me të cilën kërkohet që gjykata t’ia ndaloj Behramit të shpif dhe fyej edhe më tutje, deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, kundër propozuesi përveç që kishte ngritur kallëzim penal pa asnjë provë, i ka dërguar edhe mesazhe kërcënuese dhe e ka shantazhuar tani propozuesin Tërrnava, të cilat mesazhe avokati Hasani i ka dorëzuar si prova, pasi fillimisht i ka lexuar ato, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit, në mesazhin e parë më 2 tetor 2019, kundër propozuesi Behrami kishte shkruar: “Myfti të presë deri nesër në ora 12:00, nëse nuk mi qet 70 mijë euro, hakun tim menjëherë do ta publikoj, tubimin në KBI Vushtrri, te Shemsi Rrahimit me Imamin dhe Kadri Veselin për fushat zgjedhore. Mjetet mund ti derdhi ne BKT, emri i klientit Emin Behrami. Nr i llogarisë …, para orës 12:00, duhet të më informoni me dëshmi se e keni kryer pagesën. Në të kundërtën do të shihni çka do t’ju bëjë. Emin Behrami”.

Ndërsa në mesazhin e dytë, që sipas avokatit është dërguar më 30 tetor 2019, shkruante: “Hakun tim mund të ma përcjellni nëpërmjet bankës ose edhe në dorë nëpërmjet Nasufit. Nëse ju e pritni reagimin tim rreth fushatës së Shemsiut me imam në KBI në Vushtrri me Kadri Veselin, kjo do t’ua lëkund karrigen të cilën do tu a jap partive tjera politike dhe mediave, Atë e kam të gatshme. Emin Behrami”

Kurse në mesazhin e datës 7 shkurt 2020, avokati Hasani tha se shkruante: “Sealm. Naim, prap po të kërkoj hakun tim mos i ndëgjo munafikët rreth vetës, të bjen mirë. Për ndryshe do të publikoj dyshimin e bazuar se pas luftës nga bodrumi Medresesë ke vjedhur deviza me thasë. Ka dëshmitar. Edhe notat e Harisit në librin amzë janë falsifikuar. Informatat i kam nga brenda Medresesë. Këtë e ka pohu Emini”

Pas leximit të këtyre mesazheve, avokati ka shpjeguar se në mesazhin që përmendet Nsufi, nuk bëhej fjalë për të mirëpo për arkëtarin e BIK-ut në Vushtrri, ndërsa për Harisin i cili ishte përmendur në mesazh, avokati tha se ishte djali i Tërrnavës.

Tutje, avokati Hasani deklaroi se lidhur me vjedhjen që pretendohet në padi, në vitin 2002, sipas tij shihet se Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) kishte ndërmarrë masa ndaj përgjegjësve për ruajtjen e pasurisë të së njëjtës.

Në fund, ai tha se është i bindur se bazuar në nenin 4, paragrafin 1 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, dhe se edhe gjykata ka krijuar bindjen, se deri në shqyrtim meritor të kësaj çështje, kundër propozuesit duhet t’i ndalohet qasja shpifëse dhe fyese ndaj propozuesit.

Lidhur me mesazhet e lexuara nga avokati Hasani, kundër propozuesi-i padituri Bahtiri tha se të njëjtat janë të sakta, për faktin që siç tha ai, ato i kishte bërë publikisht pa fshehur as emër e as mbiemër.

Por sipas tij, këto mesazhe nuk kishin kuptim kërcënues apo shantazhues ndaj Myftiut Tërrnava, por tha se janë reflektim i një dhune sistematike të ushtruar kundër tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të gjitha mesazhet nuk kanë ton kërcënues ndaj Myftiut të RKS-së,  veç se janë reflektim i një dhune sistematike e ushtruar kundër meje duke më larguar pa procedurë ligjore, as sipas infrastrukturës së BKI dhe as sipas akteve juridike të shtetit tonë” tha Bahtiri.

Tutje ai ka shpjeguar procedurën se si ishte thirrur një ditë më herët nga Komisioni Disiplinor i BKI-së, ku siç tha ai, pa i dërguar padi apo aktakuzë paraprake, duke theksuar se pas tri ditëve të njëjtit ia kishin lëshuar vendimin e përhershëm të përjashtimit nga marrëdhënia e punës.

Ai tha se me këtë vendim ia kishin ndërprerë edhe të ardhurat pas më shumë se 33 vite punë, ku sipas tij krejt kjo ishte bërë pasi që shqyrtimi i lëndës ishte bllokuar nga Myftiu Tërrnava.

Po ashtu sipas tij, në këtë mënyrë kishin vepruar edhe gjykatat e të gjitha niveleve brenda këtij shteti.

Tutje, kundër propozuesi tha se mesazhi i cili kishte të bënte me fushatën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, sipas tij nuk ishte kërcënues as fyes, për faktin që siç tha ai Myftiu Tërrnava nuk ishte i pa anshëm.

Ai tha se i njëjti gjatë fushatës ia kishte mbajtur krahun Kadri Veselit, si dhe tha se iu kishte kërkuar që të votonin për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Behrami tha se e kishte ndier obligim moral që t’i bëjë lutje Myftiut Tërrnava, që atij së paku t’ia jepte të ardhurat e tij legjitime, kurse tha se për të tjerat çështje duhet të merren organet tjera shtetërore.

Pas kësaj përfaqësuesi i propozuesit Hasani, tha se kishte vërejtje në deklarimet e kundër propozuesit, duke theksuar se tani për tani pretendimet e të njëjtit nuk ishin objekt i shqyrtimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku ka bërë administrimin e provave dhe më pas është kaluar në fjalën përfundimtare, ku avokati Hasani i ka propozuar gjykatës që të marr aktvendim sa i përket shpifjeve dhe fyerjeve, ku siç tha ai, i drejtohen propozuesit nga kundër propozuesi.

Po ashtu, avokati Hasani tha se propozuesi i sigurimit është në krye të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, andaj sipas tij kundër propozuesi e ka bërë për qëllime të tija personale, e që sipas tij është që çdo kusht dëshiron ta fyej personalitetin e Tërnavës.

E në anën tjetër, kundër propozuesi Behrami e ka kundërshtuar propozimin e përfaqësuesit të propozuesit, për faktin që siç tha ai, mesazhet e tij nuk përmbajnë gjuhë shantazhuese apo kërcënuese.

Ai tha se fëmijët e Tërnavës si edhe vet ai kishin qenë nxënës të tij dhe se kishin edhe raporte të mira familjare e miqësore, të cilat tha se i kishte vazhduar edhe pas përjashtimit nga marrëdhënia e punës në mënyrë të kundërligjshme.

Ndryshe më 7 janar 2019, përfaqësuesi i propozuesit Tërrnava, avokati Hasani, përmes një parashtrese kishte kërkuar nga gjykata që të caktoj masën e sigurisë së përkohshme ndaj kundër propozuesit Emin Behrami.

Në parashtresë thuhet se propozimin për masën e sigurisë e kishte bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes me Nr.02/L-65, gjegjësisht nenit 4 paragrafit 1, kjo për faktin se paditësi Naim Tërrnava, aktualisht është kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), andaj nëse i padituri Behrami vazhdon të shpif dhe fyej si më parë, paditësit do t’i shkaktoj dëm moral të pariparueshëm.

Sipas padisë së ushtruar më 6 maj 2019, paditësi Naim Tërnava po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta detyroj të paditurin Emin Behrami, që në emër të kompensimin të dëmit material dhe jo material që ka pësuar paditësi nga shpifja dhe fyerja, të paguajë shumën e përgjithshme në vlerë prej 500 mijë euro.

Sipas kësaj padie, i padituri Emin Behrami, më 11 prill 2019, kishte parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj paditësit Naim Tërnava, se kinse paditësi në vitin 2002 i kishte vjedhur nga banka 300 mijë marka, pronë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, duke i shkaktuar dëm kësaj të fundit, si dhe njëkohësisht, sipas të paditurit, paditësi Tërnava kishte kryer veprën penale të vjedhjes.

Këtë kallëzim penal, sipas padisë, i padituri Behrami po atë ditë e kishte publikuar në portalin “INSAJDERI”, e më pas një lajm i tillë ishte publikuar edhe në të gjitha portalet tjera vendore e më gjerë.

Gjithnjë sipas padisë, rezulton se i padituri Behrami kishte punuar si mësimdhënës në Medresenë “ALAUDIN” në Prishtinë, ndërsa paditësi Tërnava ishte drejtor i kësaj medreseje dhe si i tillë, ai nuk kishte përgjegjësi që ta ruaj objektin e medresesë gjatë natës, e as nuk kishte autorizim që të tërheq para nga banka, pasi kjo ishte kompetencë të ekonomistit të BIK-ut, Rrustem Spahiu.

Sipas padisë, kallëzimit penal të ushtruar ndaj paditësit Tërnava i padituri nuk ia kishte bashkangjitur asnjë provë të vetme dhe se qëllimi i tij ka qenë denigrimi dhe diskreditimi i paditësit, pasi ai kishte funksionin e të parit në BIK.

Andaj, sipas paditësit, këto veprime cilësohen të kundërligjshme dhe sipas tij përputhen me nenin 3, pikat a, b dhe c të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Bazuar në padi, natën kritike kur kishte ndodhur vjedhja, 4-5 shkurt 2002, me të kuptuar për këtë rrethanë ishin njoftuar policia, por që njëkohësisht drejtori i atëhershëm, tani paditësi Naim Tërnava, kishte filluar procedurat disiplinore ndaj punonjësit Ismet Smajli, i cili ishte kontraktuar nga medreseja në pozitën e recepsionistit dhe rojtarit.

Sipas padisë, Medreseja “ALAUDIN” kishte suspenduar këtë punonjës nga puna me aktvendimin e datës 8 shkurt 2002, të cilin vendim e ka vërtetuar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës me vendimin e nxjerrë më 5 prill 2002, kur edhe përfundimisht i ndërprehet marrëdhënia e punës Ismet Smajlit, nga arsyeja se ai kishte fjetur në orar të punës natën kur kishte ndodhur vjedhja.

Bazuar në padi, paditësi thekson se nuk qëndron pretendimi i të paditurit se paditësi i ka tërhequr 300 mijë marka nga banka, ngase paditësi Tërnava asnjëherë nuk ka pasur autorizime të tilla dhe sipas raportit zyrtar të bankës “ProCredit”, për periudhën 1 dhjetor 2001 e deri më 28 qershor 2002, nga banka nuk rezulton të jetë tërhequr kjo sasi e mjeteve, por sasi më të vogla dhe se ato janë tërhequr nga i punësuari i BIK-ut, Rrustem Spahiu.

Gjithnjë sipas kësaj padie, paditësi ka parashtruar pyetjen se pse i padituri nuk e kishte denoncuar më herët paditësin, ngase sipas tij, vepra penale e vjedhjes së rëndë tashmë kishte arritur të gjitha afatet e parashkrimit, nëse i referohen Kodit të Përkohshëm Penal, në kohën kur ishte kryer vjedhja.

Andaj, nëpërmjet kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që të aprovoj kërkesëpadinë e paditësit Naim Tërnava, dhe që të detyrohet i padituri Emin Behrami që në emër të dëmit material dhe jo material, që ka pësuar paditësi nga shpifja dhe fyerja, t’ia bëj kompensimin e dëmit në vlerë prej 500 mijë euro. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi