Ballkani dhe Prishtina startojnë me fitore, s’fiton Feronikeli
Ballkani dhe Prishtina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë të garave në Superligën e Kosovës.
Lideri i tabelës, Ballkani e ka mposhtur Drenicë, me rezultat 3-0, të shtunën në Suharekë në hapje të stinorit pranveror. Topalli (18’), Hoxha (31’) dhe Fetahaj (30’), shënuan për skuadrën e Ismet Munishit, e cila arkëton tri pikë tejet të rëndësishme në garën për titull të kampionit.
Ndërkohë, edhe Prishtina ka startuar me fitore, duke e mundur bindshëm prej 4-0, Vushtrrinë. Endrit Krasniqi (3’), Oto John (10’), Makenda (62’) dhe Korenica (86’), realizuan për kryeqytetasit.
Ndërkaq, sfida mes Ferizajt dhe Feronikelit është mbyllur baras 1-1, në një ndeshje ku nikoqirët ishin në epërsi deri në finish të ndeshjes, me golin e shënuar nga Orana, kurse, një pikë skuadrës nga Drenasi ia siguroi Nicholas Andrews.























