Sot nis procesi gjyqësor për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit

Sot nis procesi gjyqësor për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit

Procesi gjyqësor për organizatorët e dhunës së 27 prillit në Kuvend, fillin sot para Gjykatës Penale në Shkup. Të akuzuar në këtë lëndë janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve dhe ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.

Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas PTHP, të dyshuarit në fillim të vitit 2017 kanë përgatitur dhe realizuar plan me qëllim që të pamundësojnë pranim-dorëzim të qetë të pushtetit. Për këtë qëllim, i kanë organizuar dhe materialisht i kanë mbështetur protestat masive, fillimisht para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndërsa pastaj edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulmuan me hyrje të dhunshme në Kuvend më 27 prill.

Të dyshuarit si organizatorë e kanë përfshirë strukturën e përgjithshme partiake dhe mjete materiale për përmbushjen e qëllimit dhe kanë mundësuar uljen e vazhdueshme të numrit të nëpunësve policorë për sigurimin e protestave. Me qëllim që ta cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë, ditën kritike kanë organizuar hyrje të papenguar të masës së popullit në shtëpinë ligjdhënëse, kanë përfshirë shoqata patriotike në shtëpinë ligjdhënëse dhe kanë angazhuar persona për kryerjen e dhunës. Njëherit nga selia e partisë politike në mënyrë të vazhduar e kanë mobilizuar anëtarësinë e partisë të Shkupit dhe qyteteve të tjera.

Në të njëjtën kohë, njëri nga të dyshuarit me automjet, pronësi të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ka sjellë armë zjarri dhe jelekë antiplumb para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që kanë qenë të dedikuara për personat që protestojnë dhe kanë përvojë[ me përdorimin e armëve. Me këto aktivitete të dyshuarit kanë shkaktuar ndjenjë të pasigurisë, rrezik dhe frikë te qytetarët”, theksohet në kumtesën e PTHP-së.

Në hetim janë përfshirë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-punonjësi i DSK-së Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndërprerë për ata derisa nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes.