Anulohet seanca e rigjykimit për vrasjen në “City Club”

Anulohet seanca e rigjykimit për vrasjen në “City Club”

Gjykata Themelore në Pejë e ka anuluar seancën e së premtes, në rastin ku Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë, Elshani në maj të vitit 2018, ishte dënuar me 25 vjet burgim, por që më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e rigjykimit ndaj tij, ishte paraparë të mbahej të premten, por ajo është anuluar me arsyetimin se prokurori special, Afrim Shefkiu, e ka njoftuar gjykatën se ndodhet jashtë shtetit.

Konfirmimin për anulimin e kësaj seance, për “Betimi për Drejtësi” e ka dhënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Seancat e radhës janë caktuar më 26 dhe 27 mars 2020, nga ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 30 maj të vitit 2018, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë  duke  miratuar ankesën e mbrojtësit të mëparshëm të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, është në kundërshtim me vetveten dhe me arsyetimin e aktgjykimit dhe nga provat e administruara ka kundërthënie në mes dëshmive të dëshmitarëve rreth përshkrimit të personit i cili ka shtënë me armë.

“Ka kundërthënie në mes dëshmitarëve rreth përshkrimit të personit i cili ka shtënë me armë, se cili nga dëshmitarët e përshkruan pamjen e personit në mënyra të ndryshme, kurse dëshmitari Xhevdet Kelmendi, të cilit gjykata ia ka falur besimin, në arsyetim të aktgjykimit ia përshkruan komplet deklaratën e tij pa dhënë një konkludim se në cilën pjesë të deklaratës është bazuar”, theksohet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

“Po ashtu qëndrojnë pretendimet ankimore përkitazi me mosdhënien e arsyeve lidhur me propozimin e refuzuar të mbrojtjes së të akuzuarit, që të dërgohet CD e kamerave në një institucion të pajisur me teknologji brenda vendit ose jashtë vendit që të shtjellohen fotot ku mund të indetifikohet kryesi i veprave penale dhe me personin që e kanë përshkruar dëshmitarët”, përshkruhet në arsyetimin e aktvendimit të Apelit.

Sipas aktakuzës Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të vitit 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë  i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor, Hasan Buqaj. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi