Dëshmitarja përmes fotografive identifikon të akuzuarin për krime lufte

Dëshmitarja përmes fotografive identifikon të akuzuarin për krime lufte

Në njërën nga fotografitë e shfaqura në sallën gjyqësore, dëshmitarja Bernandica Marku, e ka identifikuar të akuzuarin për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999, Zoran Gjokiq.

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Marku është dëgjuar në cilësi të dëshmitares në gjykimin ndaj të akuzuarit Gjokiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas ofrimit të fotografive nga trupi gjykues për identifikimit  e personave përmes fotografive, të cilat janë përdorur në procedurën paraprake, e të cilat ka qenë të mbuluar emrat dhe numrat identifikues, dëshmitarja Marku e ka identifikuar tani të akuzuarin Gjokiq.

Fillimisht, kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Arben Hoti e ka pyetur dëshmitaren duke filluar nga dy fotografit e fundit të procesverbalit mbi identifikimin e personave përmes fotografive të 26 shkurtit 2019, derisa ajo është përgjigjur se nuk i njeh.

Ndërsa, në pyetjen e radhës për katër fotografi të personave të ndryshëm nga i njëjti procesverbal, dëshmitarja sërish është përgjigjur se nuk i njeh.

Në pyetjen e fundit të gjykatësit Hoti, në katër fotografitë e radhës që i bien nga fillimi i procesverbalit të identifikimit të peronave, ajo e ka vendosur gishtin në fotografinë e tretë, në të cilën kishte qenë i akuzuari, Zoran Gjokiq.

Dëshmitarja Marku, fillimisht ka konstatuar se e njeh këtë person, duke thënë se ai i përngjante me kohën kur ka qenë i ri.

Në dëshminë e saj, Marku ka thënë se e kishte njohur të akuzuarin Gjokiq qysh nga fëmijëria, mirëpo me të njëjtin ka thënë se vetëm kishte shkëmbyer përshëndetje në korridorin e objektit në të cilin ka jetuar, pasi që ai kishte jetuar në të njëjtin objektin.

“Unë kam banu në katin e nëntë. Aty ku kam banu unë kanë qenë vetëm shqiptar në atë kat, ndërsa Zorani ka qenë në katin e 10, një kat mbi ne, me familjen e vet, babën, nënën dhe dy motrat të cilat kanë jetuar aty së bashku”, ka thënë Marku.

E pyetur nga prokurorja speciale, Habibe Salihu se para 29 marsit të vitit 1999, kur ishte larguar për në Mal të Zi, kur ishte hera e fundit që e kishte takuar të akuzuarin Gjokiq, Marku ka thënë se e kishte takuar tre deri katër ditë, para datës së largimit.

Ndryshe, gjatë kësaj seance është pritur që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet edhe Fatmir Shala, por i cili edhe pse ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Hoti, seancën e radhës e ka caktuar më 6 mars 2020, në ora 09:30.

Për seancën e radhës ka njoftuar se do të ftohen dëshmitarët Selami Taraku, Florim Manaj dhe Fatmir Shala.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2019, i pandehuri Zoran Gjokiq, akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake ka shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitja e një qyteti ose vendi, urdhërimi për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që duke bashkëvepruar me personat deri më tani të paidentifikuar, ka shkuar në lagjen e lartcekur dhe kanë hyrë dhunshëm nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, i kanë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, ashtu që me të arritur te shtëpia e Hilmi Zeqiraj, tanimë i ndjerë, i pandehuri me personat e paidentifikuar kishin hyrë dhunshëm në shtëpi e tani të ndjerit dhe derisa i njëjti  kishte qenë në shtëpi, së bashku me familjen e tij dhe vëllait të tij, Skenderit, tani i ndjerë, dhe me familjen e të dëmtuarit Shaban Kaliqani, serbët kishin detyruar familjarët të largohen nga shtëpitë e tyre.

Akti akuzues thotë se fillimisht e kishin rrahur të dëmtuarin Kaliqani, pastaj i kishin maltretuar tani të ndjerët e lartcekur, i kanë plaçkitur, detyruar t’ua dorëzojnë të gjitha të hollat që i kishin ata dhe familjet e tyre, duke ia marrë arin e familjes, pastaj në oborrin e kësaj shtëpie fillimisht e rrahin përsëri të dëmtuarin Kaliqani, në atë mënyrë që e godasin në fytyrë dhe ia thyejnë dhëmbët. Ndërsa, thuhet se të dëmtuarin Skender e detyrojnë të shkojë për të siguruar të holla, e në ndërkohë e vrasin Hilmi Zeqiraj dhe me të arritur Skender Zeqiraj e sheh vëllain e vrarë, në gjendje të keqe, fillon të bërtas dhe detyrohet t’ua dorëzojë 1000 marka dhe më pas i detyrojnë të largohen nga shtëpia ku ishin.

Pasi dalin jashtë shtëpisë, sipas aktit akuzues, Skenderi e Shabani takojnë Bashkim Berishën, tanimë i ndjerë, të cilin paramilitarët serb e kishin detyruar të largohet nga shtëpia, me të arritur te dera e Asllan Mulës, përafërsisht 70 metra nga ku u vra Hilmiu, i kanë ndarë nga kolona e qytetarëve shqiptarë të cilët i kishin larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se i pandehuri Zoran Gjokiq, i ka ndaluar që të tretë, Skenderin, Bashkimin e Shabanin, duke i detyruar të kthehen me fytyre nga ai, me tu afruar që të tretë një metër përpara tij, iu kishte drejtuar  Skenderit e Bashkimi “ju dy hyni brenda” në oborrin e Asllan Mulës.

Sipas aktakuzës, Skenderin e Bashkimin i kishte futur brenda në oborr 4 -5 metra, pastaj me kallashnikovë ka gjuajtur në drejtim të tyre, duke i lënë të dytë të vdekur. Në aktakuzë thuhet se ai i është drejtuar Shabanit me fjalët “ngaj çka po pret”, e atëherë i dëmtuari Shaban duke vepruar sipas urdhrit të pandehurit arrin të largohet, rrugës takon Riza Mamaj, tanimë i ndjerë, i cili ishte me një karrocë në dorë, të cilën paramilitarët e pyesin se ku ishte nisur, derisa i njëjti u tregon, vazhdon rrugën me karrocë për në shtëpinë e kushëririt, të njëjtin e gjuan me armë në gjoks dhe rrëzohet mbi karrocë dhe vdes, pastaj Shabani vazhdon rrugën dhe vendoset fillimisht në shtëpinë e babait të tij për tu larguar të nesërmen për në Mal të Zi.

Me këtë, i akuzuari pretendohet se ka kryer veprat penale, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, që ndiqen sipas nenit 153, paragrafi 1, nën paragrafët, 2.1,2.2,2.5,2.8,2.13 dhe 2.15 dhe nenit 3 të KPK-së.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi