PSRK-së i shtohen tri departamente

PSRK-së i shtohen tri departamente

Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), i janë shtuar edhe tri departamente të reja.

Departamenti i Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, Departamenti për Krim të Organizuar, si dhe Departamenti për Terrorizëm, do të jenë organe të reja brenda sistemit prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto departamente, janë themeluar në mbledhjen e së premtes të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pas propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kërkesës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Sipas Kryeprokurorit Lumezi, këto tri departamente janë shtuar me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe profilizimin e prokurorëve në departamente përkatëse.

Ai ka thënë se me krijimin e këtyre departamenteve synohet që të arrihen rezultate konkrete, sidomos në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë.

Gjithashtu, Lumezi ka propozuar që të obligohet Kryeprokurori PSRK-së, që deri më 1 prill 2020, t’i identifikojë të gjitha lëndët në bazë të departamenteve të propozuara përkatëse, në mënyrë që të sistemohen prokurorët sipas nevojës dhe numrit të lëndëve.

Në mbledhjen e KPK-së, është prezantuar edhe raporti i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, për periudhën korrik – shtator dhe tetor – dhjetor 2019.

Sipas tij, gjatë muajve korrik- shtator të vitit të kaluar nuk ka pasur progres për konfiskim të pasurisë.

Ai ka thënë se në total gjatë vitit 2019, ka pasur mbi 8 milionë e 900 mijë euro pasuri të sekuestruar, ndërsa shuma totale e pasurisë së konfiskuar kap vlerën e mbi 991 mijë euro.

Kurse periudhën e tetor-dhjetor, ai ka thënë se është arritur të konfiskohet një pasuri mbi një million euro.

“Periudha e parë korrik-shtator situata vazhdon të mbetet e njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, konfiskim ka pasur pak apo aspak. Raporti i periudhës tetor-dhjetor kemi një përmbysje të madhe të shifrave, periudha e fundit e 2019, shifra e konfiskimit prej 1 milion euro të konfiskuara me aktgjykim të Gjykatës së Apelit, krahasim me vitin 2018 kemi arritje”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se është mirë të trajtohen rastet speciale të Ligjit për kompetencat e zgjeruara dhe duhet të shikohet pse edhe dy vite pas miratimit të këtij ligji nuk kemi asnjë rast të iniciuar.

Lidhur me një pikë tjetër të raportit që ka të bëjë me prioritizimin e rasteve me konfiskim, Fazliu tha se KGJK-së i kanë dorëzuar një listë me 16 raste të tilla, të cilat janë në faza të ndryshme të gjykimit.

Ndërsa, sa i përket sekuestrimit, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni ka theksuar se ka shumë sekuestrime, mirëpo pjesa më e madhe e tyre, sipas tij, i përkasin Departamentit të Përgjithshëm e që siç ka thënë ai, duhet angazhim edhe për vepra penale të cilat i përkasin departamenteve të tjera.

Gjatë kësaj mbledhje, KPK-ja ka aprovuar kërkesën e kryeprokurorit Lumezi, që prokurorët Dren Paca dhe Burim Qerkini të vazhdojnë punën në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ndërsa prokurorja Sebahate Sinani, në atë të Krimeve të Rënda në Ferizaj, deri në përzgjedhjen e prokurorëve me mandat të përhershëm.

Kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni, ka njoftuar se në Prokurorinë Themelore në Prishtinë do të bëhet shpallja për avancim të dy prokurorëve në Departamentin për Krime të Rënda dhe një për Departamentin për të Mitur dhe në Ferizaj do të bëhet shpallja për Departamentin e Krimeve të Rënda.

Po ashtu, prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prishtinë, Bogdan Spadijer do të transferohet në Mitrovicë nga 1 mars 2020, me kohëzgjatje për një vit me qëllim të reduktimit të lëndëve në këtë prokurori.

Në këtë takim, është aprovuar edhe Raporti Vjetor i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2019.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kohë që ka rekomanduar që të bëhet profilizimi i prokurorëve, për të mundësuar rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin e suksesshëm të rasteve të korrupsionit, sidomos të profilit të lartë. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi