Juvja mposht SPAL-in, presion Lazios e Interit
Juventusi nuk shkëlqen por gjithsesi arrin të marrë maksimumin e pikëve në Ferrara përballë SPAL-it, ku fitoi 1-2 duke vënë në presion Lazion dhe Interin, që zbresin në fushë këtë të diel.
Në ndeshjen numër 1000 si profesionist, Cristiano Ronaldo realizoi e 725-të në karrierë, i cili korrespondon me të parin e këtij takimi, i shënuar në minutën e 39-të, pas asistit të Cuadrados. Në fakt, CR7 kishte arritur më parë të mposhtte Etrit Berishën, por në pozicion jashtë loje.
Me këtë finalizim portugezi barazon rekordin e argjentinasit Gabriel Batistuta, duke shënuar në 11 ndeshje radhazi të Serisë A.
Në minutën e 60-të Ramsey e dyfishoi epërsinë, por SPAL-i u kthye në lojë pak çaste më vonë me penalltinë e shndërruar në gol nga Petagna. Në minutat e mbetura vendësit tentuan me sa mundësi kishin për të shmangur humbjen, por pa mundur të gjenin rrjetën.
Përfundoi në barazim 1-1 sfida mes Bolognas dhe Udines në “Dall’Ara”, ku skuadra e drejtuar nga Sinisa Mijajlovic mundi të barazonte në shtesë me Palacion, teksa më parë për Udinesen kishte shënuar Okaka (33’).























