Zënkat mes partive hapin debatin për (mos)funksionimin e qeverisë teknike

Zënkat mes partive hapin debatin për (mos)funksionimin e qeverisë teknike

Përplasjet mes anëtarëve të qeverisë teknike nga radhët e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së, kanë ngritur debatet mbi efikasitetin e qeverisë teknike apo nevojën për ndryshime në Ligjin për qeverinë.

Për shkak të mosrespektimit të Marrëveshjes për emrin me Greqinë, me kërkesë të kryeministrit teknik Oliver Spasovski, që është nga Lidhja Social Demokrate, Kuvendi para shpërndarjes shkarkoi Ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, që është nga VMRO DPMNE-ja.

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev që është nga VMRO-ja ka bërë dhjetëra shkarkime nga detyra të zyrtarëve të afërt me LSDM-në, por vendimet e tij janë anuluar me shumicë votash nga qeveria ku dominon LSDM-ja.

Zënka të përcjella me tensione ka pasur edhe në ministritë tjera, ku zëvendësit janë nga radhët e opozitës.

Kjo mënyrë e funksionimit të këtij modeli të qeverisë, e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës e që formohet 100 ditë para zgjedhjeve me qëllimin organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre, jo vetëm që po tregohet joefikase, por edhe po shihet si nxitëse e tensioneve e krizave politike.

VMRO DPMNE-ja paralajmëron se pas zgjedhjeve do të iniciojë shqyrtimin e rolit të qeverisë në ciklet e ardhshme zgjedhore.

“Qëllimi i tyre është që të prishin qeverinë teknike, ndërsa qëllimi jonë është që atë ta forcojmë. Pas zgjedhjeve, dëshirojmë që të forcojmë mekanizmat për të garantuar efikasitet më të lartë të këtij modeli të qeverisjes”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Por, nga LSDM-ja thotë se gjithçka po funksionon sipas ligjit dhe se nuk bëhet fjalë për presione, apo shkarkim të paligjshëm të ministres nga radhët e opozitës.

“Qeveria teknike ka mandat që të sigurojë zgjedhje fer dhe demokratike dhe të gjithë duhet të fokusohen në këtë prioritet kryesor të kësaj qeverie. Kthim pas nuk do të ketë. Ministrja Rashella Mizrahi shkeli Kushtetutën, nuk respektoi emrin e ri të shtetit të vendosur në bazë të një marrëveshjeje që garanton të ardhme për vendin”, ka deklaruar deputetja e LSDM-së, Jagoda Shhpanska.