S’gabon Ballkani, fitojnë edhe Gjilani e Trepça ‘89
Ballkani nuk ka gabuar në duel me Ferizajn. Skuadra e Ismet Munishit mundi bindshëm prej 3-0, Ferizajn, të dielën në kuadër të javës së 19-të të elitës së futbollit tonë.
Kuce (26’), Hoxha (85’) dhe Ruxhi (90’), shënuan për fitoren e Ballkanit, e cila rikthehet në krye të tabelës me 40 pikë, tri më shumë së Drita dhe Prishtina.
Fitore të rëndësishme ka arritur edhe Gjilani që në shtëpinë e tyre mundën Flamurtarin, me rezultat 2-1. Plaku (41’) dhe Busic (71’), u përkujdesën për fitoren e gjilanasve.
Tri pikë tejet të rëndësishme në garën për t’i ikur zonës së rrezikshme, i ka arkëtuar edhe Trepça ’89 e cila mundi Dukagjinin, me rezultat 2-1. Manaj ishte njeriu i ndeshjes në fitoren e ‘minatorëve’ duke shënuar dygolësh, kurse, golin e vetëm për klinasit e realizoi Milicaj.























