Inzaghi tregon sekretin e suksesit të Lazios

Inzaghi tregon sekretin e suksesit të Lazios

Lazio mori një tjetër trepikësh shumë të rëndësishëm. Skuadra e Inzaghit shënoi tre herë në fushën e Genoas, skuadër që kishte pësuar vetëm dy gola nga Atalanta në katër ndeshjet e fundit, dhe vazhdon të ndjekë Juventusin hap pas hapi.

Trajneri i bardhekaltërve, Simone Inzaghi ndihet i lumtur për triumfin e sotëm, tregon sekretin e kësaj Lazio të bukur dhe premton betejë deri në fund me Juventusin dhe Interin.

“Luajtëm përballë një skuadre në rritje dhe shënuam tre gola. I komplimentova djemtë. Jemi një skuadër e formuar nga miq të mirë, të cilët e duan njëri-tjetrin dhe synojnë të zbaviten në fushë. Vavro, për shembull, ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Ky është maksimumi për mua si trajner”, tha ai.

“E pranoj se po bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Djemtë e kanë të qartë dhe nuk ma fshehin këtë gjë. Në 21 ndeshje mes kampionatit dhe Superkupës, kemi fituar 17. Në kampionatet e tjerë do të ishim në krye, po duhet të vijojmë betejën me Juven dhe Interi”, deklaron trajneri i Lazios.