Prokuroria kërkon dënimin e Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit

Prokuroria kërkon dënimin e Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dy të akuzuarit për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi.

Një kërkesë të tillë, e ka bërë prokurorja Rukije Shashivari, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

Ndërsa, Hashimi e Rexhepi, kanë kërkuar që të lirohen nga akuza, duke mohuar se ishin thirrur në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, përveç Hashimit dhe Rexhepit, i akuzuar është edhe Ekrem Lika, mirëpo i njëjti gjendet në arrati.

Në seancën e së hënës, prokurorja Rukije Sheshivari ka deklaruar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale, e cila u vihet në barrë.

Sipas saj, kjo është vërtetuar nga dëgjimi i të dëmtuarit Fadon Dalladaku, në cilësi të dëshmitarit, si dhe në bazë të dëshmitarëve Bajram Plakiqi, Ekrem Llukës, Rasim Selmanajt, Xhafer Maliqit, si dhe Muharrem Hajdaraj

“Se të pandehurit e kanë kryer veprën penale u vërtetua edhe në bazë të administrimit të provave materiale. Andaj, lidhur me atë se çka u vërtetua gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor për më gjerë prokuroria fjalën përfundimtare ia dorëzon gjykatës në formë të shkruar”, ka thënë ajo.

Skender Musa, i cili përfaqëson të dëmtuarin Faton Dalladaku, ka deklaruar se gjatë këtij procesi gjyqësor është vërtetuar me prova të pakontestueshme, të cilat kanë sipas tij, qenë prova materiale.

“Si është rasti i CD-ve që kanë vërtetuar se bëhet fjalë për këta dy persona që janë të akuzuar e se këta e kanë kryer veprën penale të mashtrimit, si dhe Ekrem Lika që ndodhet në arrati”, ka thënë Musa.

Ai deklaroi se është vërtetuar se të akuzuarit paraprakisht e kanë përgatitur planin për të mashtruar dhe zhvatur palën e dëmtuar dhe se janë thirrur në emra të strukturave shtetërore për ta mashtruar dhe zhvatur palën e dëmtuar.

“Është në tërësi e vërtetuar aktakuza, ajo çka nuk është përfshirë është fakti se kemi pasur të bëjmë me elemente të krimit të organizuar, e janë akuzuar vetëm për mashtrim. Tu e marr parasysh mënyrën e ndikimit, ndikimin e zotit Ekrem Lluka që edhe këtu është munduar të gënjej se Dalladaku ka qenë në Pejë edhe pse provat thonë se asnjëherë Dalladaku s’ka qenë në Pejë”, ka thënë Musa.

Gjithashtu, ai tha se në një sistem të drejtë gjyqësor e të pavarur të hetuesisë dhe prokurorisë, ky rast do të ishte gjykuar nga Departamenti Special i Gjykatës, dhe jo Departamenti i Përgjithshëm.

“Ne jemi të sigurt se personat në të cilin janë thirrur të akuzuarit nuk kanë qenë të involvuar, kemi informacione se ata kanë paraqitur kallëzim penal për thirrjen që e kanë bërë në emër të tyre”, ka thënë Musa.

Avokati Musa tha se shuma e përgjithshme e dëmit që i është shkaktuar të dëmtuarit është 840 mijë euro, mirëpo deklaroi se kërkojnë që kërkesa pasurore- juridike të aprovohet në procedurë penale, e shuma që kërkojnë është 290 mijë e 890 euro.

“Si rrethanë rënduese të merret mënyra e organizimit, paraqitja e fakteve të rreme para të dëmtuarit se kinse Rrahim Hashimi e përfaqëson Kadri Veselin në aksione të spitalit, Ekrem Lika është dhëndër i Kadri Veselit edhe pse nga të dhënat e prokurorisë shihet se nuk ka kurrfarë lidhje me Kadri Veselin. Ndikimi i të akuzuarve ka arritur që rasti të bartet në Ferizaj që të parashkruhet vepra penale gjatë bartjes nga një institucion në një institucion”, ka thënë Musa.

Kurse, i dëmtuari Dalladaku deklaroi se kërkon të konfiskohen paluajtshmëritë që janë blerë nga të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprave penale.

“Pikërisht në vitin 2011-2012 dhe atë sipas informatave Rrahim Hashimi ka blerë dy banesa, në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ka blerë makinë “X6 BMË”, “Mercedes B Class”. I akuzuari Ekrem Lika ka blerë banesë super luksoze në lagjen Bregu i Diellit, kurse i akuzuari tjetër Kadri Rexhepi, nuk jam interesuar të dijë se çfarë ka blerë me mjetet e mija të cilat mi kanë zhvatur”, ka thënë Dalladaku.

Në anën tjetër, avokati i Rrahim Hashimit, Asdren Saramati, ka deklaruar se aktakuza bazohet në prova që nuk kanë mbështetje ligjore, e sidomos video-incizimet.

“Kemi dy aktakuza për të njëjtët çështje, është parim bazë që një person nuk mund të gjykohet dy herë. Në aktakuzën tjetër shihet qartë se kemi të bëjmë me të njëjtën çështje që kemi të bëjmë në këtë gjykim. Në këtë çështje kemi pasur dy herë veprime hetimore, në vitin 2015 e 2018”, ka thënë ai.

Tutje, avokati Saramati deklaroi se vërehet qartë se ka paqartësi mes deklaratave të dhëna dhe kërkojnë që besimi i deklaratave t’i jepet deklaratës së Ekrem Llukës dhe Rasim Selmanaj, të cilat sipas tij, vërtetojnë se i mbrojturi i tij, asnjëherë nuk është thirrur në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit.

“Nuk kemi elemente të veprës penale të mashtrimit si ceket në aktakuzë dhe mbetemi në tërësi pranë të gjitha pretendimeve. Propozoj gjykatës që i mbrojturi im në mungesë të provave të lirohet nga aktakuza.  Pasi jemi në fund të gjykimit, kërkoj nga gjykata që pas shpalljes së aktgjykimit dhe pasi konsiderojmë se kanë pushuar shkaqet nga neni 187 të mbrojturit tim t’i ndërpritet masa e paraburgimit”, tha në fund ai.

Ndërkaq, i akuzuari Hashimi, deklaroi se mungon lidhja shkakore dhe elementet e veprës penale, e se ai nuk e ka mashtruar, e as nuk ka pasur si ta mashtrojë Faton Dalladakun.

“Pajtohem në tërësi me fjalën përfundimtare të paraqitur nga avokati im. Fjalën time përfundimtare do të ua dorëzoj të shkruar”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Dalladaku ka marrë pjesë në takimin në hotel “Dukagjini” në Pejë dhe vet ka paraqitur kërkesën për blerje, e nuk ka pasur dilema fare për pronësinë e aksionarët.

Sipas Hashimit, Dalladaku për çdo ndryshim ka mundur ta verifikojë “online” në ABRK, e sipas tij, edhe në draft kontratat e përgatitura nga Dalladaku, e avokati i tij, Xhafer Maliqi, është vetëm një pronar, e ai është Ekrem Lluka.

Sipas tij, nuk qëndrojnë pretendimet e Dalladakut dhe në asnjë rrethanë nuk e ka përdorur ose keqpërdorur emrin e personaliteteve shtetërore, e me theks të veçantë Kadri Veselit e Xhavit Halitit, ku siç ka thënë se këtë e vërtetojnë edhe deklaratat e Ekrem Llukës e Rasim Selmanajt.

“Është e vërtetë që kam pas dy aktakuza, njëra është parashkruar vepra dhe se kam bërë kurrë atë gjë. Sa i përket parave të trilluara se i kam marr unë për SHIK-un, për pagat e zyrtarëve të SHIK-ut në vitin 2011 e 2012. Është tallje e Dalladakut me drejtësinë për shkak se SHIK ka qenë inekzistent në ato vite. Nuk kam qenë as anëtar, e as drejtor në SHIK, as atëherë kur ka ekzistuar, se po të kisha qenë do ta kisha konsideruar privilegj”, ka thënë Hashimi.

Ai deklaroi se provat në bazë të cilat është ngritur aktakuza janë të paligjshme, e të falsifikuara.

“Nuk janë realizuar me pajisje zyrtare, e as vendime të organeve të drejtësisë, nuk i janë nënshtruar asnjë ekspertize, janë përligj në mënyrë kriminale nga shokët e Fatonit që janë zyrtarë në polici”, ka thënë ai.

I akuzuari Hashimi tha se të njëjtat prova Dalladaku, i ka përdorur që ta shantazhojë atë përmes rrugaçëve dhe të njëjtat i ka përdorur për linçim e stigmatizim para zgjedhjeve të përgjithshme.

“Që nga intervistimi në hetuesi, në çdo seancë kur më është dhënë fjala kam kërkuar që këto prova t’u nënshtrohen një ekspertize profesionale dhe të konfirmohet zyrtarisht se janë të falsifikuara dhe realizuara në vitin 2013 – 2016. Kërkoj nga gjykata të marr aktgjykim lirues pasi nuk është provuar se kam kryer veprën penale për të cilën akuzohem”, ka thënë ai.

Kurse, avokati Admir Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Kadri Rexhepi, ka deklaruar se konsideron se pas gjithë këtij gjykimi janë vërtetuar pretendimet e tyre për dy çështje, për shkak të parashkrimit relativ, ku sipas tij, në bazë të shkresave të lëndës kanë kaluar tre muaj e nëntë ditë veprimet procedurale nga ngritja e aktakuzës.

“Argumenti i dytë që ka të bëjë me paligjshmërinë e këtyre provave u vërtetua edhe në këtë gjykatë nga shiqimi me kujdes i tyre dhe provat që dalin nga transkriptet telefonike mund ta vëreni qartazi se këto incizime nga i dëmtuari janë dorëzuar prokurorisë ose organeve të hetuesisë pas ngritjes së aktakuzës dhe nëse lexohen me kujdes të dhënat që kanë dal nga telefoni “Nokia”, provë e paraqitur nga i dëmtuari, vërehen qartazi kërcënimet që ai ka parapri të mbrojturit tim që këto incizime do t’i paraqes te organet shtetërorë”, ka thënë ai.

Sipas tij, provat e marra në mënyrë të paligjshme do të mund të përdoreshin si prova nëse në bazë të indiceve që kanë ato prova do të prodhonin prova konkrete.

“Madje, shuma e parave, me të cilat i dëmtuari dhe dëshmitari Plakiqi e kanë cekur në këtë gjykatë se i mbrojturi ja ka dhënë të dëmtuarit Faton Dalladaku, janë para se këto incizime të publikohen fillimisht në media dhe para se këto publikime t’i dorëzohen prokurorisë, me çka vërtetohet teza që janë përdor nga i dëmtuari për shantazh ndaj të mbrojturit tim dhe si të tilla gjykata nuk do të duhej t’i konsideronte as si indicie e aq më pak si prova”, ka deklaruar Salihu.

Sipas tij, pas mbrojtjes të akuzuarit të parë Rrahim Hashimi,është vërtetuaë në këtë gjykatë se Kadri Rexhepi, jo që nuk ka marrë para nga Faton Dalladaku, por të njëjtit i ka dhënë para e mos mundësinë e kthimit të tyre.

“Në këtë gjykatë Faton Dalladaku ka pranuar se ka dhënë kesh mbi vlerën 10 mijë euro për të bërë veprime të paligjshme, siç ka qenë pretendimi për shtyrje të këstit në AKP, e të cilat në këtë gjykatë ka pretendu se fillimisht ia ka dhënë të mbrojturit tim 20 mijë euro, për t’i dhënë mito dikujt si ka deklaruar, për t’ia shty këstin, të cilin ka pasur obligim ligjor ta paguajë, e ku ka dështuar ta paguajë atë obligim kontraktual  për të njëjtin veprim, për të njëjtin sasi të parave, dy vjet më vonë e ka deponuar deklaratën si palë e dëmtuar, ku tani i ka akuzuar jo vetëm klientin tim, por edhe të tjerët të përfshirë”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, Faton Dalladaku, ka kërkuar nga klienti i tij favore, jo për punë të ligjshme, por të paligjshme dhe qartazi në gjykatë e ka pranuar arsyet për çka ka pretenduar se i ka dhënë ato para, e të cilat si prova materiale janë vetëm 100 mijë euro pa destinacion të pagesës.

“E kur është arsyetuar që këta i lypnin 200 mijë, ai insistonte t’i jepte me transaksion të gjitha, nën këshillën e lartë të avokatit të tij, Xhafer Maliqi që mos të jepen para kesh, arsyetimi i tij se këta kërkonin që për shkak të rrogave të supozuara të SHIK-ut duhet të jepen kesh dhe jo me transaksion bjen ndesh me deklarimin për të njëjtën çështje, ku ai ka deklaruar se përmes lidhjeve të tij personale në “ProCredit Bank” në Ferizaj, i mundësoi të akuzuarve  t’i tërheqin ato 100 mijë euro, kurse në anën tjetër është arsyetuar pikërisht për shkak të mos mundësisë së tërheqjes paska qenë siç thotë ai i obliguar t’i jap paratë gjysmë kesh dhe gjysmë transaksion”, ka thënë Salihu.

Avokati Salihu, ka thënë se ky gjykim është përshpejtuar apo aktualizuar për shkak të mediave, e se kur kanë dal incizimet në publik, është kuptuar që shteti për mbi gjashtë vjet nuk ka bërë asnjë punë.

“Duke iu referuar prapë mediave, në deklarimet e të dëmtuarit në këtë gjykatë, ku ai në mënyrë specifike ka përmendur emrat e hetuesve, të cilët sipas tij e kanë penguar hetimin janë të njëjtit ata persona që sot janë në burg e që sipas mediave dhe kërkesës së prokurorisë për paraburgim, janë korruptuar personalisht nga Faton Dalladaku për tu arrestuar disa persona që tërthorazi mjund të kenë lidhje apo njohuri edhe me personat në këtë gjykatë, respektivisht është fjala Ismet Osmani, e në një nga kërkesat e prokurorisë për të iu vazhduar klientit tim paraburgimi është arsyetuar se derisa të merret dëshmia e Osmanit, klienti im duhet të qëndrojë në burg”, ka thënë Salihu.

Në anën tjetër, i akuzuari Kadri Rexhepi, deklaroi se të dëmtuarin Dalladaku e ka pasur nxënës dhe se pas kryerjes së shkollës së mesme, kurrë më nuk është takuar me të, deri në muajin e 8 të vitit 2011.

“Shkak i këtij takimi ka qenë një borxh ndaj një të afërmes time në shumë prej 30 mijë euro. Është fakt se aty e kam pyetur se si ec puna me spitalin, ai më ka thënë se me zor na i ka marr Ekrem Lluka, ashtu qysh ka dashtë ai vet. Me Rrahim Hashimin, jam njoftuar përmes Shukri Bujës, në vitin 2009 apo 2010, në restorantin “Edni”, në Prishtinë. Mu ka paraqit si luftëtar i UÇK-së, në zonën e Dukagjinit dhe më la përshtypje jashtëzakonisht të mirë kur një dalë aq i moshës së re t’i kthente pushkën okupatorit, ishte mjaft komunikativ dhe inteligjent dhe aty i ndërruam numrat e telefonit”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, pas një kohe jo të gjatë, e kishte telefonuar.

“Motivi im për tu interesuar për çështjen e spitalit ka qenë gruaja ime, e cila është e bërë operacion prej zemre dy herë. E kam thirr Rahim Hashimin edhe i kam thënë a mundesh me ardh deri në Ferizaj, jemi takuar në restorantin “Veranda”, bashkë me Faton Dalladakun, kanë biseduar mbi dy orë këta dy, këta i kanë ndërruar telefonat aty. Pastaj, Fatoni më thirrte në telefon, pyste se çka është bërë e pse nuk po vjen Rrahimi. E kam thirr Rrahimin në telefon  dhe i kam treguar dhe ky thotë se më duhet pak kohë, por thotë unë për këtë i kam treguar Fatonit. Jo fortë gjatë, më ka thirr Rrahim Hashimi dhe kemi shkuar në një spital që ishte në ndërtim e sipër dhe ka incizuar çdo imtësi se çka u ndërtu deri atëherë”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, nga aty kanë shkuar në zyrën e Dalladakut, ku kanë filluar të bisedojnë Dalladaku e Hashimi dhe janë marrë vesh që nëse puna përfundohet, Dalladaku si “bakshish” do t’i jepte Hashimit 500 mijë euro dhe 5% nga fitimi i spitalit.

“Erdh koha, kemi shkuar në Pejë, na ka prit Ekrem Lluka, ka ardh edhe Rasim Selmanaj me një vonesë prej 10 minutash, atë kohë ishte kryetar i Komunës së Deçanit. Kur ka filluar çështja e shitblerjes pak si me nervozë iu ka drejtu Faton Dalladaku duke i thënë se pse nuk më ke thirr në telefon dhe ti Faton nuk ki pare se ky spital i cili kushton prej 8 deri në 10 milion  nuk mund të mirret 300, 400 apo 500 mijë euro. Kur jemi kthy në Prishtinë,  e kam qortua me fjalë pak të rënda ku i kam thënë se nuk je në pazar pa pare o burrë edhe çështja e spitalit me mu këtu ka marr fund”, tha në vijim Rexhepi.

Tutje, ai tha se Dalladakut i kanë dal probleme me “Apex”, ku i kishte marrë hua 250 mijë euro, duke lënë hipotekë 15 hektarë tokë, prej të cilave 7 hektarë kanë qenë të huaja, jo të tij.

“Është fakt se kam nejt shumë shpesh në zyrën e Faton Dalladakut, më ka thënë “profesor, i kam ca borxhe, të cilat nuk po muj me i la, të lutem rri në zyre, kur të vijnë borxhlitë se ty ta besojnë se je në moshë dhe serioz, me ma shty afatin e pagesës. Kanë ardh shumë dhe më ka shfrytëzuar maksimalisht sa që jam detyruar në momente me i hijeshu gjërat vetëm për me mujt me ja shty afatin”, tha Rexhepi.

“Numrin e telefonit ma ka dhënë Faton Dalladaku, duke më thënë se unë i kam dy numra e njërin po ta jap ty, a ky numër është i Kadri Veselit, të cilin nuk e harroj deri në vorr.  Në ato incizime, kam fol sipas udhëzimeve që i kam marrë sipas këtij numri të telefonit”, deklaroi ai.

Sipas tij, me këto incizime, Faton Dalladaku e ka varros për së gjalli.

“Më ka korit, në pleqëninë time të shtyme ndaj shokëve, miqve dhe dashamirëve. Kur e kam pa veten tu fol se kur të incizon dikush e nuk e din, njeri nuk zgjedh as fjalë e as fjali. Ky ma ka traumatizu familjen, të cilat vështirë shërohen. Ky më ka shti në borxh deri në fyt, 155 mijë euro i ka marrë nga unë, 40 mijë i ka marrë nga kushërini dhe 40 mijë nga mbesa ime”, ka thënë Rexhepi mes lotësh.

Tutje, ai deklaroi se nuk është mashtrues, por i dëmtuar, e se mashtruesi është Dalladaku.

“Unë jam i dëmtuari, shkaku i tij qe 9 muaj i vuaj paraburgim, flej me një dyshek në tokë, kam marramendje të hatashme, edhe asnjëherë në mëngjes nuk kam mujt mu qu pa më ndihmu shoku i dhomës. Kam kërkuar hapa nga mjeku, dy herë më kanë qu në spital dhe nuk kam pranu me nejt, jam kthy se ma ka marr menja që tregona i dobët dhe kinse hajt t’ia falim.  Nuk më dhimbet fare vetvetja, por familja, edhe plot herë kam thënë shyqyr që jam në paraburgim e mos të më shohin njerëzit jashtë”, ka thënë Rexhepi.

Kurse, dy mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar që të ndërpritet paraburgimi ndaj të mbrojturve të tyre.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet më 26 shkurt, nga ora 14:30.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi